Musliu: Pse harrohet Iljaz Kurteshi, ideatori i Kushtetutës së Kaçanikut?
Gazetari i njohur Fahri Musliu ka reaguar sot, në 35-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke ngritur pyetjen pse harrohet emri i Iljaz Kurteshit, të cilin e quan ideator dhe realizator të këtij akti historik.
Musliu kujton se ndonëse në Kosovë kjo ngjarje u shënua në mënyrë modeste dhe pati mysafirë në studio televizive, askush nuk e përmendi Kurteshin. Sipas tij, ai, bashkë me Fehmi Agimin dhe të tjerë, ishte ndër figurat kyçe në hartimin e Kushtetutës dhe organizimin e mbledhjes së Kaçanikut, e cila u mbajt në kushte të jashtëzakonshme pa u zbuluar nga shërbimet sekrete policore e ushtarake të Serbisë dhe Jugosllavisë.
Gazetari thekson se është për keqardhje që figura e Iljaz Kurteshit po injorohet, jo vetëm në këtë rast, por edhe për kontributin e tij të përgjithshëm politik dhe institucional. Ai përmend rolin e Kurteshit edhe në procesin e hartimit dhe miratimit të Kushtetutës së vitit 1974, kur Kosova fitoi subjektivitetin kushtetues si pjesë përbërëse e Federatës Jugosllave dhe e barazuar me njësitë tjera federale duke pasur të drejtën e vetos si në institucionet e Serbisë, ashtu edhe në ato të federatës.
“Lavdi e përjetshme figurës dhe veprës së Iljaz Kurteshit”, përfundon Musliu. /Kosova.info/
