Musliu: Nuk i dhashë votë Dimal Bashës, ky nuk ishte inat, por parim

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryetar të Kuvendit duke bërë të ditur se ajo ka votuar kundër kandidaturës së tij.

Musliu tha se nuk mund të mbështeste për kryetar të Kuvendit një person që, sipas saj, karrierën politike e ka ndërtuar mbi urrejtje dhe përçarje, e jo mbi vizion e unitet.

“Si qytetare dhe si deputete, nuk mund të pranoj që në një nga pozitat më të larta shtetërore të ulet dikush që hapur ka treguar përçmim ndaj Ushtrisë Çlirimtare, ndaj Drenicës, ndaj PDK-së dhe ndaj figurës së Hashim Thaçit,” theksoi Musliu.

Ajo shtoi se vota për një “përçarës” si Dimal Basha do të ishte tradhti ndaj mbi 31 mijë votuesve që i kanë besuar asaj për më shumë se 16 vite.

“Ne kemi nevojë për udhëheqës që bashkojnë, jo që përçajnë e përçmojnë. Ne kemi nevojë për liderë që respektojnë historinë, jo që e shkelin atë për interesa personale apo politike. Ne kemi nevojë për dinjitet,” tha Musliu duke theksuar se vendimi i saj nuk ishte inat, por parim. /Kosova.info/


Go to TOP