Mushkolaj kritikon Presidenten: Po shtrembëron historinë dhe po përdor shtetin për propagandë
Analisti Imer Mushkolaj ka reaguar ashpër ndaj dekorimit të këngëtares Adelina Ismaili me medalje presidenciale nga presidentja e vendit duke e akuzuar atë për manipulim të historisë dhe shërbim ndaj interesave të politikës ditore.
Sipas Mushkolajt, deklarata e presidentes se Ismaili “i këndonte ushtrisë së Ibrahim Rugovës atëherë kur askush nuk guxonte ta përmendte një ëndërr të tillë” përbën gënjeshtër të hapur dhe fyerje ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan realisht për krijimin e ushtrisë çlirimtare të Kosovës. “Presidentja gënjen publikisht duke fyer të gjithë ata që sakrifikuan për të krijuar vërtet ushtri çlirimtare, e jo ushtri që mund të ekzistojë vetëm në imagjinatën e saj,” u shpreh analisti.
Ai shtoi se presidentja “me kast shtrembëron historinë” duke e instrumentalizuar për qëllime politike dhe për të ndërtuar narrativa që nuk përputhen me realitetin historik. “Për marre,” përfundoi Mushkolaj.
Analisti kritikoi gjithashtu pushtetin për vendosjen e resurseve shtetërore në funksion të një videoklipi të Adelina Ismailit, i cili – sipas tij – ka karakter propagandistik. Ai e cilësoi interpretimin e këngës së përpunuar si “sakatosje të një kënge të bukur” duke thënë se projekti ishte i panevojshëm dhe i motivuar politikisht. /Kosova.info/
