Murseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Dodaj dënohet për shitjen e armës

Në seancën fillestare për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshorti i saj është deklaruar “plotësisht i pafajshëm” për akuzën “vrasje e rëndë”, teksa Prokuroria dha detaje të aktakuzës dhe tha se Murseli e kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij.

I akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me avokatin, Granit Plava tha se zgjedh të mbrohet në heshtje, ndërkaq Tom Dodaj pranoi fajësinë.

Dodaj ishte përfshirë në akuzë, pasi i ka shitur armën Murselit, me të cilën ishte kryer vrasja e Liridona Ademajt. Ai më pas u dënua me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Për veprën penale, ai mund të dënohej deri me tetë vjet burgim.

Gjatë shqiptimit të aktgjykimit, gjykatësja bëri të ditur se rasti ndaj Dodajt do të ndahet nga rasti ndaj tre të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt.

Pas përfundimit të seancës, avokati i tij, Agron Kuçi, tha se Dodaj nuk i kishte njohur paraprakisht të pandehurit, por e kishte kuptuar se armën që e kishte shitur ishte përdorur për vrasje, vetëm pas publikimit në media të rastit të vrasjes së Liridonës. Kuçi tha se dënimi prej pesë vjetësh burgim është i lartë dhe i njëjti do të apelohet.

Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.

Gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, gjatë seancës që zgjati mbi dy orë më 31 janar, tha se nëse gjenden fajtorë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla mund të dënohen nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm.

Seanca fillestare për këtë rast ishte paraparë të mbahej më 27 janar, por u ndërpre pak pasi nisi për shkak se avokatët e dy të akuzuarve thanë se nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës.

Të premten, në gjykatore Prokuroria lexoi aktakuzën ndaj të pandehurve. Aty u tha se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë, që ajo të mos shmangte plumbin.

Dorasi, sipas aktakuzës, ishte Granit Plava, ndërkaq Kokalla ishte ai që kishte gjetur Plavën për të kryer këtë akt.

Prokuroria: Naim Murseli planifikoi vrasjen e Liridonës

Duke folur për pjesën e aktakuzës ndaj Naim Murselit, prokurorja Javorka Përlinçeviq, tha se Murseli kishte bërë plan për ta vrarë Liridonën nga mllefi dhe në shenjë hakmarrjeje, pasi çifti kishte pasur “raporte të çrregulluara familjare dhe martesore”.

Prokuroria tha se më 25 qershor 2022, është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën në vlerë prej 3.000.000 kruna suedeze me qëllim që pas vdekjes së saj, Murseli të përfitonte këtë sigurim.

Prokuroria tha se Naim Murseli ia ka shpalosur planin e tij të akuzuarit Kushtrim Kokalla, për vrasjen e bashkëshortes dhe ka kërkuar nga ai që të gjejë mënyra për ta realizuar atë. Ai, sipas Prokurorisë nuk kishte pranuar të kryente vrasjen, dhe e kishte njoftuar Murselin me Granit Plavën.

Prokuroria tha se të tre më pas janë pajtuar që Plava të vriste Liridonën dhe Murseli do ta kompensonte atë me 30.000 euro.

Ndërkaq, në këtë rast Tom Dodaj u përfshi pasi në ditën e vrasjes, Murseli kishte blerë nga ai një pistoletë, e firmës Zastavëm dhe 20 fishekë, në vlerë prej 280 eurosh. Me këtë armë, tha Prokuroria, ishte vrarë Liridona Ademaj.

Vrasja, tha Prokuroria është kryer në intervalin kohor nga 19:00 deri në 20:18, në Bërnicë të Prishtinës, përkatësisht në vendin e dakorduar mes tre të akuzuarve, të cilët u tha se inskenuan skenën e krimit me qëllim që të dukej si grabitje.

“….Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, pas çka, Naimi me fëmijët kanë dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, tha Prokuroria.

Naim Murseli në sallën e gjyqit më 31 janar 2025.
Naim Murseli në sallën e gjyqit më 31 janar 2025.

“Plava e qëlloi nga afër Liridonën”

Sa i përket të pandehurit të dytë, Granit Plavës, në aktakuzë përshkruhet si personi që shtiu me një plumb drejt Liridonës.

Sipas Prokurorisë, në Bërnicë, në vendin ku paraprakisht ishin marrë vesh me Murselin për të kryer vrasjen, ky i fundit, teksa po udhëtonte me veturën ku gjendej viktima dhe dy fëmijët e çiftit i ka bërë shenjë me dritat e veturës Plavës.

“Ai më pas ka dalë para veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar. Ndërkaq, Naim Murseli ka ndaluar dhe ka fikur motorin dhe e ka mbajtur me dorë Liridonën. Granit Plava, për kompensim në shumë prej 30.000 eurosh, nga afërsia e drejtpërdrejtë, përmes dritares gjysmë të hapur nga ana e pasagjerit, ka shtënë dhe e ka qëlluar në kokë Liridonën, në pjesën prapa veshit të majtë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse dhe për pasojë ka vdekur në vendin e ngjarjes”, tha Prokuroria.

Autoritetet thanë se gjatë bastisjeve në shtëpinë e tij është gjetur pistoleta Zastava dhe 19 fishekë, armë me të cilën Prokuroria tha se u krye vrasja.

Ndërkaq, Kushtrim Kokallës, sipas autoriteteve, i ishte kërkuar nga Murseli që të gjejë “mundësi” për vrasjen e Liridonës dhe ai e kishte njoftuar atë me Plavën. Autoritetet e akuzojnë se ishte në dijeni për vrasjen e Liridonës dhe nuk kishte lajmëruar autoritetet për këtë vepër penale.

Çfarë ndodhi në nisje të seancës?

Në nisje të seancës të premten, sërish pati ankesa nga një avokat mbrojtës se kishte pasur vështirësi në qasje në shkresat e lëndës.

Gjyqtarja Fatime Dermaku, njoftoi se më 30 janar ka pranuar një email nga Ndrec Dodaj, avokat i Kushtrim Kokallës, që thotë se CD-të e pranuara për lëndën, nuk hapen.

Ajo i kishte kërkuar që t’i merrte këto materiale në seancë. Gjatë seancës, u ftua IT-ja i gjykatës, i cili hapi të katër CD-të që kishte avokati Dodaj.

Gjyqtarja tha se me këtë konstatohet se materialet janë në rregull dhe se të njëjtat u janë dërguar palëve. Ajo shtoi se me këtë konstatohet se prokurori i shtetit ka përmbushur të gjitha detyrimet, sa i përket materialeve.

Më pas, gjyqtarja vazhdoi me leximin e të drejtave të të akuzuarve. Edhe këtu pati një situatë mes avokatit Dodaj dhe gjyqtares.

Kjo pasi Kushtrim Kokalla ishte i vetmi i akuzuar që deklaroi se nuk i kuptonte të drejtat e tij, që ia lexoi gjykatësja. Avokati Dodaj kërkoi konsultim me klientin e tij, por gjykatësja Fatime Dermaku tha se po i drejtohej të akuzuarit, duke i kërkuar avokatit që të mos pengonte procedurën.

Gjykatësja më pas i shqiptoi vërejtje me shkrim avokatit të Kokallës dhe e paralajmëroi se herën e ardhshme do ta dënonte me gjobë.

Me sjelljen e gjykatëses ndaj avokaatit Dodaj nuk u pajtua ekipi mbrojtës i Naim Murselit. Gjykatësja shqiptoi një gjobë prej 500 eurosh ndaj mbrojtësit të Murselit, Shemsedin Piraj, për prishje të rendit dhe qetësisë.

Për vrasjen e Liridona Ademajt, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar njoftoi se ngriti aktakuzë ndaj katër personave.

Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, deklaroi më 15 janar se jatë kohës që çifti jetonte në Suedi – së bashku me dy fëmijët e tyre – ata kishin pasur “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.

“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.

Deri te ky informacion, sipas prokurores, autoritetet erdhën pas bashkëpunimit me shtetin e Suedisë, pasi Prokuroria në Prishtinë kishin kërkuar të dhëna rreth jetës së çiftit dhe marrëdhënies së tyre martesore.

“Vetëm atëherë arritëm të krijojmë një pamje të plotë të jetës së tyre dhe të gjejmë motivin që e shtyu Naim Murselin të marrë vendimin për largimin e Liridonës, për të mos thënë likuidimin e saj, sepse mënyra e kryerjes së veprës tregon qartë një akt të tillë si likuidim”, deklaroi Përlinçeviq.

Kryeprokurori i Prokurorisë në Prishtinë, Zejnullah Gashi, gjatë konferencës për media më 15 janar deklaroi se vrasja e kryer nga “anëtari i familjes” u krye në “mënyrë dinake”, prandaj shtoi se pret dënim kapital nga gjykata.

Sipas Prokurorisë, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”, ndërkaq Kokalla dhe Plava, sipas organit ndjekës ishin “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës. I akuzuari i katërt, sipas Prokurorisë është i përfshirë në mënyrë të tërthortë në këtë rast, përkatësisht ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.

Murseli, Kokalla dhe Plava gjenden në paraburgim, ndërkaq Dodaj po mbrohet në liri.

Vrasja e Liridona Ademajt kishte shkaktuar zemërim në publik edhe për faktin që bashkëshorti i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varrimit.

Familja e Liridonës kishte kërkuar zhvarrosjen e trupit të saj, në mënyrë që ajo të varrosej vranë varrezave të prindërve të saj, ndërkaq aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj.

Sipas të dhënave, që nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë afër 60 gra. Në të shumtën e rasteve, dorasit kanë qenë bashkëshortët.

Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thuhet, “dënimet e lehta”.


Go to TOP