Munih, Rubio takon ministrin kinez, përpara një takimi të mundshëm Trump-Xi
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi të premten një takim me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih, ndërsa Uashingtoni dhe Pekini përgatiten për një vizitë të mundshme të presidentit Donald Trump në Kinë gjatë muajit prill.
Ky ishte të paktën takimi i dytë ballë për ballë mes diplomatit të lartë amerikan dhe Wang Yi-t. Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë kërkuar të zbusin tensionet mbi çështje të ndryshme, përfshirë përplasjet tregtare dhe tarifat, si dhe të ardhmen e Tajvanit, raporton Reuters.
Rubio dhe Wang Yi përshëndetën njëri-tjetrin dhe pozuan për fotografitë para se dy delegacionet, të shoqëruara nga ndihmësit e tyre të lartë, të uleshin për bisedime në një dhomë konferencash në qendër të Mynihut. Takimi zgjati rreth një orë, sipas një zyrtari të lartë amerikan.
Më parë këtë muaj, Trump pati një bisedë telefonike me presidentin kinez, Xi Jinping, të cilën e përshkroi si “shumë pozitive”. Pas muajsh tensionesh tregtare të shkaktuara nga tarifat e Trump, Xi dhe Trump arritën një marrëveshje kornizë tregtare më 30 tetor në Kore, sipas së cilës Uashingtoni u angazhua të mos vendosë tarifa 100% për importet kineze, ndërsa Kina do të pezullojë regjimin e licencimit për eksportin e mineraleve të rralla dhe magnetëve të rëndësishëm.
