GLPS prezanton pesë prioritete për Këshillin Prokurorial të Kosovës

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur sot konferencë për media me temën “Pesë prioritete për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, ku ka paraqitur rekomandime konkrete për funksionalizimin dhe konsolidimin e këtij institucioni.

Gjatë konferencës, Liridon Salihu nga GLPS theksoi se pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore mbi përbërjen e Këshillit Prokurorial dhe zhvillimeve të fundit lidhur me reformën në sistemin prokurorial, KPK duhet të fokusohet në pesë prioritete kyçe.

“Mbajtja e mbledhjes dhe miratimi i Rregullores për Zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të KPK-së, zgjedhja e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit, shpallja e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, plotësimi dhe ndryshimi i Rregullores për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të KPK-së, si dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale”, tha Salihu.

GLPS vlerëson se zbatimi i këtyre prioriteteve, së bashku me një qasje bashkëpunuese të përbërjes së re të Këshillit ndaj publikut, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, do të përbënte një hap konkret drejt konsolidimit institucional të KPK-së dhe përmbushjes së detyrimeve ligjore për një sistem prokurorial funksional, të besueshëm, transparent dhe llogaridhënës. /Kosova.info/


Go to TOP