Mulliqi largohet nga ekrani i RTK pas 18 vjetësh: Vendim i pamenduar, RTK po mbahet peng nga politika
Gazetari i njohur i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Arton Mulliqi, ka njoftuar se mbrëmja e djeshme ka qenë nata e tij e fundit në ekran pas plot 18 vitesh pune në këtë transmetues publik.
Në një reagim publik, Mulliqi tha se vendimi për ta larguar nga ekrani është marrë “pa vlerësim profesional dhe më shumë për inate e teke të atyre që tash janë në krye të RTK-së, të cilët nuk ndihen rehat me praninë e tij”.
“Unë nuk jam moderator, bile as me kontratë. Unë jam gazetar, dhe i tillë do të mbes. Ajo që më dhemb nuk është fakti që nuk më shihni më në ekran, por se RTK çdo ditë po bëhet lajm për të keq, për shkak të menaxhmenteve që e trajtojnë si pronë të tyre”, shkroi ai.
Mulliqi kujtoi se në 131 muaj të punës së tij në RTK ka raportuar nga çdo fushë, në terren dhe në studio duke pasur shpesh përplasje me menaxhmentet e mëparshme, por pa iu nënshtruar presioneve politike.
Sipas tij, RTK ka potencialin dhe profesionistët më të mirë për t’u bërë model i gazetarisë së pavarur, por për këtë “duhet të çlirohet nga presionet dhe ndikimet politike sa herë që ndërrohen pushtetet”.
“RTK është e Kosovës, është e publikut. Të gjithë ne jemi të përkohshëm në punë e në pozita. Vetëm RTK duhet të jetë e përjetshme, sepse është në interes të publikut që Kosova të ketë një transmetues publik të pavarur dhe profesional”, tha Mulliqi.
Në fund, gazetari reagoi edhe ndaj thirrjeve për mbylljen e RTK-së duke i cilësuar ato si të turpshme: “Turpi ju mbuloftë!”. /Kosova.info/
