Muharremi: Qeveria nga opozita është opsion teorik, por jostabil në praktikë

Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar zërat e shtuar për mundësinë e krijimit të një qeverie nga opozita, duke theksuar se një skenar i tillë, ndonëse i mundshëm në teori, do të ishte jostabil dhe me jetë të shkurtër.

Sipas Muharremin, opozita aktualisht ka 52 mandate nga PDK, LDK dhe AAK-Nisma, ndërsa edhe me mbështetjen e pakicave joserbe, numri total i deputetëve do të arrinte në 62 duke krijuar një shumicë të brishtë. Ai thekson se pakicat joserbe janë më të prira të mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje, çka e bën këtë opsion edhe më të vështirë.

“Për një qeveri stabile, sipas rezultateve dhe vullnetit të sovranit, LVV duhet të jetë pjesë e qeverisë. Gjithashtu, për ta garantuar stabilitetin, ose PDK ose LDK duhet të jenë pjesë e një koalicioni me LVV,” ka deklaruar ai.

Muharremi ka bërë thirrje për kompromis pozitiv dhe bashkëpunim mes partive për të krijuar një qeveri funksionale dhe të qëndrueshme duke paralajmëruar se çdo tentativë për të anashkaluar LVV-në në qeverisje do të çonte në pasiguri dhe një mandat afatshkurtër. /Kosova.info/


Go to TOP