Muharremi: Qëllimi i LVV-së s’ka qenë kurrë konstituivi i Kuvendit, por bllokada për pazare politike
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj situatës politike të krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) se për pesë muaj ka ushtruar një bllokadë të qëllimshme politike në Kuvend, me synimin për të blerë kohë deri në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme.
“Në gjithë këtë kohë, një pjesë e madhe e qytetarëve mendonin se problemi ishte paaftësia për ta zhbllokuar Kuvendin. Por realiteti është se nuk ka pasur kurrë vullnet për ta konstituuar atë,” tha Muharremi.
Sipas tij, diskutimet dhe propozimet e ndryshme që qarkulluan publikisht kishin vetëm një funksion: të simulojnë përpjekjet për zgjidhje, ndërkohë që synimi real ishte bllokimi institucional si strategji politike.
Muharremi thekson se burimi kryesor i kësaj taktike është pakënaqësia e LVV-së me rezultatin e zgjedhjeve, për shkak se nuk kishte arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.
“LVV nuk ka pasur asnjëherë numrat për të ndërtuar shumicën parlamentare. Edhe sikur të arrinte një shumicë minimale, ajo do të ishte jostabile dhe e paqëndrueshme,” shton ai.
Analisti vlerëson se propozimi për votim të fshehtë ishte gjithashtu një mjet për të thelluar bllokadën, dhe jo për të avancuar ndonjë proces zgjidhjeje.
Në këtë kuadër, ai e konsideron të gjithë bllokimin institucional si një strategji për të pritur një cikël të ri zgjedhor, në të cilin LVV synon jo vetëm një rezultat më të favorshëm, por edhe pozicionin e Presidentit, që mund të bëhet pjesë e pazareve të ardhshme politike.
Megjithatë, sipas Muharremit, kjo taktikë ka një kosto të lartë, jo vetëm për vendin, por edhe për vetë partinë.
“Shumica absolute e kosovarëve, sipas matjeve të fundit omnibus, mendojnë se LVV është fajtorja kryesore për krizën dhe paralizën institucionale që ka mbërthyer vendin muajve të fundit,” deklaron ai. /Kosova.info/
