Muharremi: LVV po bënë gjithçka që vetë e ka quajtur të keqe

Analisti Shenoll Muharremi ka shprehur zhgënjimin e thellë ndaj sjelljes së pushtetit aktual duke e krahasuar atë me veprimet që më parë vetë i kishte kritikuar. Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje, e votuar masivisht në vitin 2021 për të sjellë ndryshim dhe integritet në qeverisje, sot po i bën pikërisht ato veprime që dikur i quante të dëmshme për shtetin.

“Po lexojmë që kanë filluar të ndërrojnë edhe tabelat e makinave zyrtare duke i bërë të padallueshme nga ato të qytetarëve të zakonshëm. Pse? Për t’u fshehur nga publiku?”, pyet ai duke aluduar në mungesë të transparencës.

Muharremi kritikon ashpër edhe përdorimin e eskortave të mëdha duke thënë se “sot i shohim me nga 10 badigardë për 20 metra rrugë, me 7-8 xhipa duke i përcjellë – si në film, jo në një shtet demokratik.”

Ai flet edhe për “zaptimin e bordeve me militantë partiakë” dhe e cilëson këtë si një normalitet të ri, që ka rrënjosur klientelizmin në institucione. Muharremi akuzon pushtetin për manipulime elektorale përmes shpërndarjes së bonuseve para zgjedhjeve – fillimisht 100 euro në zgjedhjet nacionale, e tani 400 euro në ndërmarrjet publike para zgjedhjeve lokale.

“Në tenderët e energjisë kemi parë vendime nëpër grupe të Whatsapp-it, e tash kemi edhe monopole në tregun e rrymës përmes NOA-s. Krejt çka kanë thënë që është e keqe, tash po i bëjnë vetë. Pa pikë marre,” përfundon ai.

Muharremi e quan këtë gjendje “një pikë kritike” për demokracinë dhe integritetin institucional në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP