Muharremi: LVV nuk ka shumicën, është koha për ndryshim rruge
Analisti Shenoll Muharremi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk ka votat dhe nuk e ka shumicën e nevojshme parlamentare për të themeluar institucionet e reja duke theksuar se pas më shumë se 50 tentimeve në Kuvend që nga 9 shkurti, kjo parti ka dështuar të sigurojë mbështetjen për qeverisje.
Sipas Muharremit, është bërë e qartë se LVV nuk po arrin të ndërtojë shumicë, dhe nuk ka gjasa që kjo të ndodhë as në të ardhmen e afërt, madje as pas zgjedhjeve të ardhshme. Ai thotë se kjo ndodh për shkak të mungesës së partnerëve politikë, pasi dy partitë opozitare, LDK dhe PDK, refuzojnë çdo formë bashkëpunimi me Vetëvendosjen, për shkak të fyerjeve dhe sulmeve të vazhdueshme që kanë ndodhur gjatë viteve.
“Mosbesimi është dramatik, i thellë dhe i gjerë. Nuk kalon e nuk ndryshon kjo gjendje së shpejti – duhet me kalu vite e LVV duhet me u reformu. Nuk mundesh me i fye sot, e me u lutë nesër”, thekson Muharremi.
Ai thotë se është koha për të ndryshuar drejtimin dhe për të gjetur një zgjidhje tjetër politike, pasi nuk mund të vazhdohet me një mandat që mbetet i bllokuar në një cikël parlamentar pa rrugëdalje. “LVV i ka fitu zgjedhjet, e ka pas rastin, por nuk ka partnerë. E pa partnerë, nuk ka qeveri. As demokraci funksionale”, përfundon ai. /Kosova.info/
