Muharremi: LVV në rënie, rrezikon të bjerë në 25% – duhet të tregojë maturi politike

Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është në një proces të pashmangshëm tkurrjeje elektorale duke humbur momentum nga fitorja e jashtëzakonshme e vitit 2021. Ai ka theksuar se zgjedhjet e 9 shkurtit shënuan fillimin e korrigjimit të atij rezultati dhe se LVV tashmë rrezikon të zbresë në 25% apo edhe më pak në vitet në vijim.

Sipas Muharremit, Vetëvendosje po tregon hezitim për të krijuar një qeveri dhe po zvarrit procesin zgjedhor duke mos kuptuar se gjendja e saj nuk do të përmirësohet me kalimin e kohës. Ai ka parashikuar se PDK dhe LDK kanë potencial të madh për t’u rritur, ndërsa LVV do të vazhdojë të humbasë mbështetje.

“Koha nuk punon më për LVV. Ajo duhet të shfrytëzojë rezultatin që ka sot dhe të bëhet më konstruktive. Të bashkëpunojë për interesin publik dhe të shmangë arrogancën, konfrontimet dhe polarizimet politike,” ka deklaruar Muharremi.

Ai ka paralajmëruar se sjellja e sotme e LVV-së ndaj partive të tjera mund t’i kthehet nesër kundër vetë saj duke theksuar se një rënie e mëtejshme e saj është vetëm çështje kohe. /Kosova.info/


Go to TOP