Muharremi kritikon reagimet e LVV-së ndaj kushtetueses: Sjellje e opozitës, jo e pushtetit

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese duke i cilësuar ato si të papërgjegjshme dhe të padenja për një parti që është në pushtet prej disa vitesh.

Ai tha se reagimet e djeshme të LVV-së ishin “aq dramatike, të radikalizuara e të rebeluara” sa ngjajnë më shumë me sjelljen e adoleshentëve, e jo të një partie serioze që drejton vendin. Muharremi kritikoi faktin se vetëm dy ditë më herët LVV deklaronte se e respektonte vendimin e Kushtetueses, ndërsa më pas, kur vendimi nuk i pëlqeu, ndryshoi krejtësisht qasjen.

Sipas tij, kjo qasje nuk ofron asnjë zgjidhje dhe nuk tregon as vullnet për krijimin e një shumice parlamentare për t’i dhënë fund krizës aktuale. Ai theksoi se LVV nuk është më në rrethanat e vitit 2020, kur qytetarët ishin të lodhur nga një sistem i vjetër, por ka qeverisur vetë për 4-5 vite dhe mban përgjegjësinë kryesore për gjendjen aktuale.

Muharremi e përshkroi reagimin e partisë si “rebelim fëmijëror” që mund të ndikojë vetëm tek militantët, por që i kushton LVV-së humbje të ardhshme politike. Ai shtoi se një parti serioze duhet të ketë sjellje e përgjegjësi të pushtetit, jo të opozitës duke paralajmëruar se qasja aktuale është e “vjetruar dhe e skaduar” dhe nuk i përgjigjet nevojave të Kosovës.

Në fund, ai apeloi për një reformë të thellë dhe të gjerë brenda LVV-së, nëse kjo dëshiron të ketë një të ardhme të qëndrueshme politike. /Kosova.info/


Go to TOP