Muharremi kritikon ashpër lidershipin politik: Sillen si para disa shekujve, të paarsyeshëm dhe vetjakë
Analisti Shenoll Muharremi ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e bashkëpunimit mes liderëve të partive politike në Kosovë, duke i quajtur qëndrimet e tyre “primitive, të jashtëkohës dhe të paarsyeshme”. Përmes një reagimi publik, ai ka kritikuar qasjen e partive kryesore, duke përmendur se LVV i quan kundërshtarët “hajvana”, PDK vendos vija të kuqe, ndërsa LDK refuzon çdo lloj bashkëpunimi.
Muharremi theksoi se kjo nuk është një qasje e izoluar, por një fenomen që po ndodh te të gjithë liderët politikë, pavarësisht prejardhjes së tyre akademike dhe përvojës ndërkombëtare. Ai përmendi se disa prej tyre janë të shkolluar në institucione prestigjioze si London School of Economics apo mbajnë tituj të lartë akademikë, por në praktikë, sjellja e tyre nuk reflekton këtë nivel të përgatitjes.
Sipas tij, këta liderë politikë, të cilët kanë marrë mbështetje të vazhdueshme nga qytetarët, tani po sillen në mënyrë vetjake, duke e rrezikuar të ardhmen e Kosovës në një kohë të tranzicioneve të mëdha globale. Ai i ka kritikuar për mungesën e kuptimit të politikës publike, kompromisit dhe bashkëpunimit, duke vënë në pikëpyetje prioritetet e tyre.
“Nuk dëshiroj t’i gjykoj, nuk jam në lëkurën e tyre, por koha dhe historia mund të jenë të pamëshirshme me ta,” përfundoi ai. /Kosova.info/
