Muharremi: Kosovës i duhet bashkim mendjesh progresive, jo papërgjegjësi që cenon shtetin
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj situatës politike në vend duke e cilësuar si një papërgjegjësi të skajshme ndaj shtetit, qytetarëve dhe përpjekjeve historike për liri dhe pavarësi. Në një deklaratë publike, ai ka theksuar se Kosova po përballet me një krizë që kërkon më shumë se kurrë bashkimin e mendjeve progresive dhe kthimin e shpresës.
“Çfarë turpi. Një papërgjegjësi e skajshme ndaj shtetit, qytetarëve, institucioneve publike dhe ndaj të gjitha përpjekjeve të përkushtuara ndër dekada për liri dhe pavarësi. Ndërtimit të Republikës,” shkroi Muharremi.
Ai kritikoi ashpër qasjen e disa deputetëve duke thënë se “ende ka deputetë që nuk ndiejnë asgjë për këtë vend dhe që nuk e kanë as brengën më të vogël për pasojat që po i shkaktojnë Kosovës.”
Megjithatë, Muharremi nënvizoi se kjo situatë duhet të shërbejë si një leksion për forcim dhe përkushtim të ri. “Kosovës i duhet seriozitet, përkushtim dhe vizion. I duhet një model i ri politik e qeverisës që jo vetëm adreson problemet, por edhe zhbllokon potencialet që ky vend ka. Sa më parë, aq më mirë,” përfundoi ai. /Kosova.info/
