Muharremi: Kjo nuk është më punë gazetarësh, por e hetuesve – sektori i energjisë kundërmon deri në Australi
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar fuqishëm ndaj zhvillimeve të fundit në sektorin e energjisë në Kosovë duke shprehur mbështetje për gazetarin Ermal Panduri dhe duke kërkuar hetim të thelluar institucional.
Në një postim në rrjete sociale, Muharremi ka ngritur pyetje të qarta për nepotizmin dhe interesat e lidhura me bordet dhe vendimmarrjet brenda sektorit energjetik. “Institucionet kanë punë me fakte, jo me individë. A është nipi apo shoku në bord? A është vajza apo babai? A ka garancion apo jo?… Qito janë temat”, shkroi ai.
Duke iu referuar sulmeve të vazhdueshme ndaj gazetarëve, Muharremi thekson se ato vijnë kur mungojnë argumentet. “Zakonisht thuhet kur nuk ka më argumente, njerëzit fillojnë me sulmu. Të thonë ‘pseudo-gazetar’, ‘pseudo-ksi’, ‘pseudo-asi’… por fakti i ftohtë është që energjia u keqmenaxhua në formën më skandaloze të mundshme.”
Ai denoncon çmimet e larta të bartjes së energjisë – deri në 800 euro për një megavat – dhe thotë se kjo nuk ka vetëm erë skandali, por edhe “krimi dhe korrupsioni.”
Muharremi kritikon edhe diskriminimin ndaj bizneseve vendore, të cilat sipas tij përjashtohen nga përdorimi i energjisë së gjeneruar me resurse publike. “Po kur i përjashton bizneset tuaja, zemrën e ekonomisë, nga energjia që e gjeneron me resurse publike falas e godet ekonominë tënde, çka pret më shumë aty?”.
Në përfundim, ai thekson se kjo nuk është më çështje që duhet të mbulohet nga gazetarët: “Kjo është punë për hetuesit më të pavarur e më profesionalë. Ky sektor kundërmon… deri në Australi.” /Kosova.info/
