“Kapja e KOSTT-it”: Pas zbulimeve, zyrtarë të Qeverisë po thërrasin në pyetje drejtuesit për rrjedhjen e informacionit

Gazetari Ermal Panduri ka ngritur sërish alarmin për një situatë të rëndë brenda sistemit energjetik të Kosovës, pas zbulimeve që lidhen me KOSTT-in. Sipas tij, skandalet nuk kanë të ndalur, ndërsa tani po ndodh një zhvillim edhe më shqetësues: zyrtarë të Qeverisë thuhet se kanë thirrur drejtues të KOSTT-it për t’i marrë në pyetje në lidhje me rrjedhjen e informacionit që ekspozon kapjen e ndërmarrjes publike.

“Po, në vend që të përgjigjen për garancionet milionëshe për privatë, për ndërhyrjet nga kabinetet ministrore, për familjarët që ia aprovojnë njëri-tjetrit letrat brenda shtetit – po hetohet kush guxoi me fol!”, shkruan Panduri.

Ai thekson se kjo nuk është një sjellje e një shteti demokratik, por një ndjekje politike ndaj të vërtetës.

Për të gjithë ata që kanë sinjalizuar skandalet, Panduri jep një mesazh të qartë: “Jeni në anën e drejtë të historisë.” Ndërsa për ata që ushtrojnë presion: “Frika ju ka kapur, jo KOSTT-i. Aty e kishit veç kontrollin.”

Ai mbyll reagimin me një deklaratë të fortë: “Në këtë luftë, e vërteta ka një çmim. Por ka edhe forcën me rrëzu çdo gardh që keni ndërtu me heshtje e frikë!”.

Në javët e fundit janë publikuar dokumente, email-a dhe nënshkrime që tregojnë për një ndërhyrje të thellë politike e familjare në operimin e KOSTT-it – zhvillime që kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik. /Kosova.info/


Go to TOP