Muharremi: Elektorati ndëshkoi arrogancën e LDK-së, koha për reflektim
Analisti Shenoll Muharremi ka analizuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit duke vënë theksin te ndëshkimi që elektorati i ka bërë qasjes arrogante të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Sipas tij, strategjia e kësaj partie për të mos u krahasuar me të tjerët ka dështuar, ndërsa në politikë kërkohet fleksibilitet dhe maturi.
“Politika nuk është vetëm çështje preferencash, por e asaj që është e duhura. Në situata ekstreme, ironikisht, bashkëpunimi mund të ndodhë edhe me kundërshtarin, e jo më me partitë shqiptare. Por një zyrtare e lartë e LDK-së, ende pa analizuar rezultatet e 9 shkurtit, tregoi edhe më shumë arrogancë se më parë. Kjo tregon se mësimet nga vota e sovranit ende nuk po nxirren,” tha Muharremi.
Ai sugjeroi se reforma në LDK duhet të nisë pikërisht nga kjo qasje, duke paralajmëruar se pa ndryshim, partia mund të përballet me një tkurrje të mëtejshme. Muharremi la të kuptohet se aleancat strategjike janë të domosdoshme për një parti që synon të rikthehet si forcë qeverisëse. /Kosova.info/
