MSH bën thirrje për vaksinim dhe bartje të maskave në ambientet e mbyllura

Ministria e Shëndetësisë theksoi sot se rastet me COVID-19 po shënojnë rritje dhe sipas projeksioneve të IKShPK, dinamika në rritje pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Në njoftim thuhet se MSH përmes institucioneve shëndetësore mundëson qasje të lehtë në vaksina falas, të sigurta dhe efektive në qendrat e vaksinimit në të gjitha komunat, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë, teste PCR falas në IKShPK dhe 6 qendrat rajonale (Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan),  teste rapide falas në shumë prej QKMF-ve si dhe trajtim klinik për COVID-19 në QKUK e spitalet regjionale.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu bën apel që qytetarët që kanë simptoma të lajmërohen menjëherë në qendrat e testimit dhe nëse rezultojnë pozitiv të izolohen sipas udhëzimeve.

“Bartni maskën në mjedise të mbyllura. Vaksinohuni në qendrën më të afërt të vaksinimit”, thuhet në njoftim.

MSH bën të ditur se personat e moshës mbi 12 vjeç mund të vaksinohen me dozën e parë, të dytë dhe të tretë të vaksinës kundër COVID-19.

Personat e moshës mbi 60 vjeç mund të vaksinohen edhe me dozën e katërt (katër muaj pas marrjes së dozës së tretë dhe fëmijët e moshës 5-11 vjeç me dozën e parë dhe të dytë.

Go to TOP