Shtëpia e Bardhë: Rusia po dëshiron të blejë dronë ushtarakë nga Irani
Shtëpia e Bardhë ka publikuar atë që tha se inteligjenca tregon se zyrtarët rusë së fundmi kanë vizituar një bazë ajrore në Iran për të parë dronë pa pilot dhe të armatosur, që dëshiron të blejë për t’i përdorur në pushtimin e saj të Ukrainës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, së fundmi ka forcuar raportet me Teheranit dhe është planifikuar që ai të vizitojë Iranin këtë javë për t’u takuar me presidentët e Iranit dhe Turqisë.
Teherani së fundmi ka hedhur poshtë sugjerimet se është i gatshëm t’i ofrojë dronë Rusisë.
Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha përmes një deklarate se administrata amerikane “ka informacion se Qeveria iraniane po përgatitet që t’i ofrojë Rusisë disa qindra dronë pa pilot”.
Administrata e presidentit, Joe Biden, tha se zyrtarët iranianë ua kanë prezantuar dronët zyrtarëve rusë në aeroportin Kashan, në Iranin qendror, më 8 qershor dhe 15 korrik.
Shtëpia e Bardhë publikoi imazhe satelitore që shfaqin dronët iranianë të llojit Shahed-191 dhe Shahed-129 duke fluturuar dhe të ekspozuar në aeroportin teksa një avion transportues rus është parë në afërsi.
“Kjo sugjeron interes të vazhdueshëm rus për blerjen e dronëve iranianë, që janë të aftë për të sulmuar”, tha Sullivan.
Dronët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në konfliktin katërmujor në Ukrainë, luftë që ka lënë të vdekur dhjetëra-mijëra persona dhe ka detyruar mbi 10 milionë ukrainas që të largohen, teksa luftimet në terren dhe bombardimet ruse po vazhdojnë.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s i kanë ofruar Ukrainës furnizime me armë në vlerë prej miliarda dollarësh, në mënyrë që shteti të mbrohet nga pushtimi rus që nisi në shkurt.
Më herët, Uashingtoni e ka akuzuar Teheranin se është i gatshëm ta furnizojë Rusinë me dronë.
Më 15 korrik, ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, i tha homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba, se raportimet se dronët iranianë do t’i jepen Rusisë “janë të pabaza”.
Ai tha se këto raportime janë të motivuara politikisht dhe përkasin me kohën kur presidenti amerikan, Joe Biden, po zhvillon turneun e tij në Lindjen e Mesme.
“Ne kundërshtojnë çdo lëvizje që mund të çojë në vazhdimin dhe intensifikimin e konfliktit”, tha ai.
Presidenti Biden aktualisht po qëndron në Lindjen e Mesme në përpjekje për të mbështetur përgjigjen rajonale kundër kërcënimit nga Irani dhe lufta e Putinit në Ukrainë.
Përpjekjet e Bidenit dhe liderëve të tjerë botërorë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin gjerësisht kanë ngecur, duke u minuar pjesërisht nga insistimi i Moskës për kushte të reja, që kanë përkeqësuar raportet tashmë të tensionuara midis Teheranit dhe Uashigtonit.
Comments