“Mos u bëfsh me të kajtë Rahoveci!”
Shkruan: Hisen BERISHA
Kështu e përkufizon populli ynë një mbështetje të rreme, të vonuar dhe të stisur, atë lloj solidariteti që vjen jo nga bindja, por nga frika e përgjegjësisë historike.
Sepse, çfarë po shohim sot në Kosovë?
Eksponentët më të zëshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, të qeverisë Kurti, e në veçanti Donika Schwarz dhe Albulena Haxhiu, sot shfaqen me tone “mbështetëse” ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe me një lloj solidariteti të vonuar ndaj liderëve të luftës në Hagë.
Por a mund të harrohet historia e afërt?
A mund të fshihen thirrjet e Kurtit nga foltorja e Kuvendit, kur trupës diplomatike në sallë i drejtohej me gjuhë histerike:
“Ju e dini çfarë kriminel janë këta!”
A mund të harrohen shpërthimet e Albulena Haxhiut me etiketime “kriminel”, apo dëshmitë publike të Donika Schwarz se ka deponuar materiale në Prokurorinë Speciale kundër tyre?
Sot, kur procesi po shkon drejt fundit, kur dëshmitë e mbrojtjes po rrëzojnë peshën juridike të shumë deshmive të deshmitarëve të ZPS, narrativave të ndërtuara mbi shpifje, fyerje dhe motive politike, kjo nomenklaturë shfaqet papritur si “mbrojtëse” e drejtësisë.
Kjo është jo vetëm hipokrizi.
Kjo është një strategji.
Sepse, le ta kujtojmë:
Kur mbrojtja kërkoi që Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit t’u mundësohej “mbrojtja në liri në një shtet të tretë”, institucionet e Kosovës, Presidentja dhe Kryeministri, nuk ofruan asnjë garanci.
Heshtën. Sabotuan. Refuzuan të marrin përgjegjësi.
Në atë kohë, kur unë si deputet reagova për këtë akt politik të mosmbështetjes, u zhvillua debat i ashpër, jopërkrahës, madje armiqësor. Deri edhe te intervistat intriguese përmes “gazetarëve” të BIRN, me Presidentin Kroat për të rrëzuar ketë mundësi. Edhe pse atë botë u ofruan fisa shtete si Kroacia, Sllovenia, Austria, Izraeli, etj.
Sot, kur procesi po i afrohet fundit, kur rreziku i një dënimi të padrejtë do të ishte një goditje direkte ndaj lirisë së Kosovës dhe ndaj UÇK-së, kjo propagandë e stisur shfaqet më e zëshmja në “përkrahje” të drejtësisë në Hagë.
Por dilema është e thellë:
A është kjo përkrahje për drejtësinë?
Apo është përpjekje për ta kontrolluar narrativën e fundit?
Sepse, nëse dikush vërtet besonte në pafajësinë e tyre, pse nuk e mbështeti të drejtën e tyre kur duhej?
Pse nuk e dha garancinë kur ishte vendimtare?
Kuvendi miratoi një rezolutë.
U përkrah nga të gjitha partitë, përveç Listës Serbe dhe, fatkeqësisht, LDK-së.
Një absurditet që kërkon shpjegim institucional, jo heshtje.
Por shqetësimi më i madh është në faktin se ashtu si në çdo subjekt edhe në këtë formacion politik ka deputetë, ish-luftëtarë dhe komandantë të UÇK-së.
Si është e mundur që ata të heshtin përballë kësaj kontradikte?
Si mund të pajtohen me një linjë politike që dje i quante “kriminel”, e sot i përdor si kauzë?
Kjo situatë nuk është thjesht politike.
Është morale. Është historike. Është shtetformuese.
Sepse, në fund, Kosova nuk ka luksin të lejojë që liria e saj të shndërrohet në instrument propagande, dhe UÇK-ja të trajtohet si monedhë për pushtet të përkohshëm.
Kohët e errëta kërkojnë kujtesë.
Dhe kërkojnë guxim për të thënë të vërtetën:
“Mos u bëfsh me të kajtë Rahoveci”, sepse solidariteti i rremë është forma më e ulët e tradhtisë politike.
