Morina: Gjykata Supreme vërtetoi shkeljet penale të Kurtit dhe ministrave – Prokuroria duhet të veprojë urgjentisht
Gazetari hulumtues Idriz Morina ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës duke deklaruar se kjo gjykatë ka vërtetuar shkeljet penale të kryeministrit Albin Kurti dhe disa anëtarëve të kabinetit të tij. Sipas Morinës, vendimi tregon se Qeveria aktuale ka vepruar në kundërshtim të hapur me Ligjin për Qeverinë, të miratuar pikërisht nga shumica parlamentare e Vetëvendosjes në mandatin e kaluar.
“Në këtë vend kemi jetuar në absurditet institucional, ku një qeveri, një parti dhe një lider kanë shkelur me vetëdije ligjin që vetë e kanë miratuar. Sjellje tipike komuniste, ku lideri dhe partia vendosin mbi ligjin dhe mbi çdo të drejtë”, thekson Morina.
Ai shpreh shqetësim serioz për mosveprimin e Prokurorisë duke e konsideruar këtë një test të madh për sistemin e drejtësisë në vend. “Nëse Prokuroria nuk vepron dhe nuk arreston ata që e kanë shkelur ligjin në flagrancë, atëherë dëshmohet se drejtësia është nën thundrën e pushtetit, e jo mbi të”, shton ai.
Morina kujton se Gjykata Supreme, përmes vendimit në rastin e ministrit Hekuran Murati, ka vlerësuar se mbajtja e njëkohshme e pozitave në Qeveri dhe Kuvend përbën shkelje të qartë ligjore dhe kushtetuese, që ngre përgjegjësi penale. Ai thekson se vendimi i gjykatës nuk është thjesht një konstatim teknik, por një konfirmim se kemi të bëjmë me “uzurpim institucional dhe bashkëkryerje të veprave penale”.
“Ky vendim e konfirmon se në krye të qeverisë kemi një mashtrues ordiner që çdo ditë manipulon opinionin publik duke u fshehur pas retorikës së rendit dhe ligjshmërisë, ndërkohë që vetë i shkeli ato. Dhe bashkë me të, dhjetëra ministra, juristë dhe zyrtarë që heshtën apo e ndihmuan”, shton më tej Morina.
Në përmbyllje, ai u drejtohet edhe mbështetësve të Kurtit: “Ndoshta tashmë do ta kuptojnë se demokracia nuk është propagandë, por zbatim i ligjit, respektim i procedurave dhe ndarje reale e pushteteve. Pa këtë, gjithçka tjetër është mashtrim.” /Kosova.info/
