Morina: Albin Kurti dhe Edi Rama, “armiq” vetëm në retorikë

Gazetari Idriz Morina ka reaguar me një shkrim kritik ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe marrëdhënieve të tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama duke vënë në pikëpyetje sinqeritetin e qëndrimeve publike të Vetëvendosjes ndaj Tiranës zyrtare.

Morina ka treguar se një person i kishte thënë se disa ish-anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, përfshirë Xhavit Halitin, kanë ndikim në lëvizjen Vetëvendosje – diçka që fillimisht i ishte dukur e pabesueshme.

“Dikush më tha një ditë se Xhavit Haliti dhe një anëtar tjetër i Shtabit kanë ndikim të madh në Vetëvendosje. Mu duk një informacion shumë konfuz, mendoja se do të thoshte për A. Sylen, por ky pohim nga një mbështetës apo polemizues pro Vetëvendosjes mu duk shumë jo serioz,” shkroi Morina.

Sipas tij, megjithatë, disa zhvillime të fundit po nxjerrin në pah “të vërteta të fshehura” për marrëdhëniet politike në prapaskenë duke nënvizuar lidhjet që sipas tij ekzistojnë mes Kurtit dhe Ramës.

“Albini së bashku edhe me njeriun e shpallur ‘armik’ nga VV-ja, Edi Ramën, por si duket vetëm armik në retorikë! Ndërsa unë e konsideroj dhe kam provuar ta argumentoj më shumë se kushdo, se është njëri nga dëmtuesit më të mëdhenj të ecjes së Kosovës, veçanërisht në ballafaqimet me Serbinë,” përfundoi gazetari. /Kosova.info/


Go to TOP