Molliqaj: Prindon Sadriu duhet të shkarkohet, pushteti do disiplinë

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, duhet të shkarkohet nga pozita e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Ai tha se qasja e institucioneve ndaj deklaratave të tije vërteton qasjen e pushtetit ndaj fjalës së lirë.

“Duke qenë diplomat i shtetit dhe bashkëshort i presidentes, Prindon Sadriu ka linçuar e kërcënuar media e gazetarë. Deklarata e tij është deklaratë e njeriut të veshur me pushtet. Në anën tjetër, sjellja e institucioneve përgjegjëse sikur asgjë nuk ka ndodhur e vërteton çasjen që e ka pushteti ndaj fjalës së lirë”, ka shkruar Molliqaj në një postim në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Prindon Sadriu duhet të shkarkohet

Duke qenë diplomat i shtetit dhe bashkëshort i presidentes, Prindon Sadriu ka linçuar e kërcënuar media e gazetarë. Deklarata e tij është deklaratë e njeriut të veshur me pushtet. Në anën tjetër, sjellja e institucioneve përgjegjëse sikur asgjë nuk ka ndodhur e vërteton çasjen që e ka pushteti ndaj fjalës së lirë.

Pra, nuk bëhet fjalë për kufijtë etikë që nuk duhet kaluar. Thjesht, ka rëndësi kujt i drejtohet kritika. Një polic ka kërkuar më shumë të drejta brenda kontekstit kur po diskutoheshin shtesat e privilegjet e deputetëve. Menjëherë i mori 6 muaj suspendim. Prindonit diplomat, pjesë e pushtetit presidencial nuk i nisë procedurë kush. Pushteti do disiplinë!

Go to TOP