MKRS-ja shpall thirrjen për art, kulturë dhe trashëgimi kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka njoftuar se ka shpallur thirrjen publike për projekt-propozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2024.

Sipas njoftimit që MKRS-ja ka bërë në rrjetin social “Facebook”, qëllimi i kësaj thirrje është fuqizimi i skenës së pavarur kulturore, rritja e cilësisë së krijimtarisë artistike, identifikimi dhe mbështetja e talentëve të rinj, aktivizimi i tyre në vendimmarrje dhe aktivitete të fushës së artit dhe kulturës, rrjetëzimi dhe promovimi i produktit vendor kulturor si produkt konkurrues në tregun ndërkombëtar të industrisë kreative.

 “OJQ-të dhe individët mund të aplikojnë në njërën nga kategoritë në vijim: 1. Mbështetje trevjeçare për zhvillimin organizativ dhe programor për OJQ-të e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore; 2. Programet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore; 3. Projektet dhe ngjarjet e njëhershme në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore; 4. Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj”, thuhet në postimin e MKRS-së.

Ndërkaq aplikimi me projekt-propozime me formularët zyrtarë duhet të bëhet nëpërmjet postës elektronike, kurse afati për aplikim përfundon me datën 18 prill 2024 në orën 23:59. /Kosova.info/

Go to TOP