Mitrovica e Veriut vazhdon lirimin e hapësirave publike – Inspektorati synon rend dhe ligjshmëri urbane
Komuna e Mitrovicës së Veriut, përkatësisht Drejtoria e Inspeksionit, po vazhdon me intensitet të pandërprerë aktivitetet për lirimin e hapësirave publike dhe forcimin e sundimit të ligjit. Këto veprime janë pjesë e një strategjie më të gjerë për vendosjen e rendit urban dhe mbrojtjen e interesit publik.
Fokus i veçantë po i kushtohet ndalimit të shfrytëzimit të paautorizuar të hapësirave publike, parandalimit të ndërtimit të paligjshëm si dhe largimit të objekteve të përkohshme të vendosura pa leje përkatëse.
Zyrtarë komunalë kanë theksuar se vendosja e rendit urban dhe respektimi i ligjit janë themele të një qyteti funksional, të sigurt dhe të jetueshëm për të gjithë qytetarët. Ata kanë falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, si dhe institucionet që po mbështesin zbatimin e këtyre masave.
“Hapësirat publike janë pasqyra e gjendjes së komunitetit tonë, andaj menaxhimi i drejtë i tyre është përgjegjësi e përbashkët,” thuhet në njoftimin e Komunës.
Komuna fton të gjithë shfrytëzuesit e hapësirave publike që të aplikojnë me kohë në Drejtorinë e Urbanizmit për marrjen e lejeve të nevojshme duke kontribuar kështu në ndërtimin e një ambienti të rregullt dhe të ligjshëm për të gjithë. /Kosova.info/
