Miratimi i Qendrave të Votimit jashtë Kosovës përplasë anëtarët e KQZ-së

Edhe mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që u thirr për shqyrtimin e miratimin e Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrin e vendvotimeve dhe numrin maksimal të votueseve për vendvotime, për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, është përcjellë me përplasje mes anëtarëve të këtij organi vendimmarrës që i organizon zgjedhjet.

Arianit Elshani nga Këshilli për Operacione Zgjedhore, fillimisht bëri të ditur se në këtë këshill kanë miratuar rekomandimin që të hapen 50 qendra votimi me 66 vendvotime me 62 mijë e 700 votues të mundshëm për të votuar në përfaqësitë diplomatike.

Alban Krasniqi i Lëvizjes Vetëvendosje tha se qendrat janë ndarë dhunshëm, sipas tij, duke i dalluar nga hapësira shtesë dhe misionet diplomatike, me qëllimin, që siç tha, të kufizojnë mundësinë e qytetarëve për të votuar në sa më shumë hapësira gjatë ditës së zgjedhjeve që organizohet më 27 dhjetor.

“Duseldorfi, Frankfurti, Munihu, Shtutgarti, Berlini, Londra, Nju Jorku, Berni, Cyrihu dhe Gjeneva janë adresa që janë refuzuar nga Këshilli për Operacione Zgjedhore që të jenë Qendra të Votimit. Ne dje kaluam nëpër një vendimmarrje e cila këtu u cilësua sikur gjoja po mbrohet integriteti dhe sot në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore u pa qartë se nuk ka të bëjë me integritetin, por t’i pamundësohet mërgatës votimi në çfarëdo lloj forme. Nuk isha çuditur që të vinte propozimi edhe t’i ndalohet votimi”, tha Krasniqi.

Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga PDK-ja tha se po përsëritet një ndërhyrje flagrante e Ministrisë së Jashtme në këtë proces dhe e cila, sipas tij, synon të hapë qendra jashtë vullnetit të këtij institucioni.

“Nuk e di nëpër klube a vende që nuk e kemi as idenë, prandaj nuk e di ndoshta kanë edhe interesa ekonomike, sepse vlera që do të paguhet, po shihet ka qendra edhe deri në 90 mijë euro. Ajo çfarë është e rëndësishme i kemi edhe dy vendime të institucioneve gjyqësore të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme që thotë shprehimisht që KQZ-ja nuk e ka cenuar të drejtën e asnjë qytetari me vendimin e tij për të zhvilluar procesin zgjedhor në përfaqësi diplomatike e konsullore, për rrjedhojë kjo do të thotë se ne kemi pasur një vendim të drejt të bazuar në ligj. Ky institucion nuk mund të hap qendra jashtë objekteve dhe përfaqësive diplomatike e konsullore, sepse bën shkelje të Ligjit për Zgjedhje, dhe për fat të keq sekretariati po hynë në matematika të cilat nuk i kanë takuar”, tha Gashi.

Sami Kurteshi i LVV-së, ka pyetur Besnik Buzhalën e Sekretariatit të KQZ-së mos ka dërguar lista të ndryshme tek anëtarët e ndryshëm, meqë tha se ai nuk e ka një propozim të tillë.

Gashi i PDK-së e lexoi ofertën që tha se është publikuar nga PMJD-ja.

“Vlefshmëria e ofertës: Kjo ofertë qëndron në dispozicion deri më 27. 11. 2025. Është e domosdoshme t’i jepet personit përgjegjës me kohë, përndryshe oferta nuk do të jetë më e vlefshme. Kosotoja e ofertës është 99 mijë e 500 euro, plus TVSH 19 për qind”, ishte pjesa që lexoi Gashi.

“Unë e dëgjova kolegun e përmendi Nurnbergun me 90 mijë euro, këtu në listë nuk e kam, a keni dërguar lista të ndryshme te anëtarët e ndryshëm të KQZ-së, nëse nuk keni dërguar, ku është ajo qendër me 90  mijë euro”, e pyeti Kurteshi kreun e Sekretariatit të KQZ-së.

“Sot që e kam dërguar listën nuk po shkruan që është 90 mijë euro, këtë listë e kam dërguar tek ju, nuk po shkruan që është 90 mijë euro, por ndoshta edhe është. Unë nuk e di”, tha Besnik Buzhala i SKQZ-së.

Sami Hamiti tha se një listë të tillë e ka parë, madje sipas tij vlera që arrinin deri në rreth 300 mijë euro.

“Janë afër 300 mijë euro, Kurteshi nuk e ka pasur këtë listë, se kam pasur as unë, por e pashë. Unë e di që ti e ke pasur, prandaj duhet me qenë të sinqertë e me treguar”, i tha Hamiti Buzhalës.


Go to TOP