Ministrja Haxhiu: Tony Blair vendosi themelin e një miqësie të pathyer

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ish-kryeministri britanik, Tony Blair, vendosi themelin e një miqësie të pathyer, në një aleancë të përjetshme mes dy vendeve dhe dy popujve tanë.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ndër të tjera e ka falënderuar Blairin për krejt çka ka bërë për Kosovë,

“Tony Blair është miku i madh i popullit shqiptar, që ka hyrë në zemrat e të gjithë qytetarëve tanë, sikurse edhe në historinë e paharrueshme e cila përherë do ta kujtojë veprën e tij përcaktuese në rolin që si Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar i dha forcë popullit të Kosovës dhe mundësi politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës në luftën e saj të drejtë. Tony Blair vendosi themelin e një miqësie të pathyer, në një aleancë të përjetshme mes dy vendeve dhe dy popujve tanë. Në 25-vjetorin e çlirimit, Tony Blair erdhi sërish në Kosovë për të festuar plot krenari sukseset e Kosovës, progresin e arritur falë edhe rolit të tij dhe të spektrit politik në Mbretërinë e Bashkuar që kontribuojnë pandërprerë në forcimin e shtetit të Kosovës. Suksesi ynë është i përbashkët, prandaj edhe festa e çlirimit të Kosovës është festë e të gjithë atyre që kontribuuan në çlirimin tonë. Përjetësisht mirënjohës dhe falënderues”, ka shkruar ministrja.

Go to TOP