Ministria e Mbrojtjes merr në menaxhim pronat e Aeroportit të Dumoshit
Nga sot pronat e Aeroportit të Dumoshit janë nën menaxhim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si pika strategjike për rritjen e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.
Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes që thonë se vendosja e ushtarëve në pronat e Aeroportit të Dumoshit në Podujevë është zhvillim domethënës për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
“Vendosja e ushtarëve të FSK-së në pronat e Aeroportit të Dumoshit në Podujevë është një zhvillim domethënës për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Kjo datë përkon edhe me ditëlindjen e Heroit të Kosovës, strategut dhe inspiruesit të luftës sonë çlirimtare, Komandant Zahir Pajaziti”, thuhet në njoftimin që ka lëshuar MInistria e Mbrojtjes. Ky hap sipas ministrit Ejup Maqedonci forcon praninë e FSK-së në regjionin e Llapit dhe Gollakut, duke ofruar siguri shtesë për banorët e kësaj ane, mbështetje më të mirë e më të shpejtë për reagime, si dhe për operacione në rast të emergjencave civile.
“Ky vendim tregon angazhimin e institucioneve të Kosovës për të fuqizuar kapacitetet ushtarake dhe për të kontribuar në një mjedis më të sigurt”, ka thënë Maqedonci. /Kosova.info/