Ministria e Kulturës i kërkon Komunës së Prishtinës të respektojë ligjin për punimet në sheshin “Xhorxh Bush”
Ministria e Kulturës dhe e Turizmit (MKT) i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të përmbahet nga veprime që, sipas saj, cenojnë ligjshmërinë dhe të bashkëpunojë me institucionet për trashëgiminë kulturore, lidhur me punimet në sheshin “Xhorxh Bush”.
Sekretari i Përgjithshëm i MKT-së, Bislim Bislimi, ka deklaruar se pezullimi i punimeve kishte ndodhur ekskluzivisht për shkak se ato ishin nisur në kundërshtim me ligjin për Trashëgimi Kulturore.
Bislimi theksoi se Qendra Historike e Prishtinës gëzon status ligjor të mbrojtjes që nga viti 2020 dhe se çdo ndërhyrje brenda kufijve të saj duhet të pajiset me leje, sipas legjislacionit në fuqi.
Ai po ashtu tha se këtë vit ka hyrë në fuqi edhe Plani i Menaxhimit dhe Konservimit të Integruar për Qendrën Historike të Prishtinës, duke kundërshtuar pretendimet se bëhet fjalë për një draft të pazbatuar.
“Nga ky vit, QHP përveç statusit ligjor të zbatueshëm nga viti 2020, ka në fuqi edhe Planin e Menaxhimit dhe Konservimit të Integruar, për të cilin plan, disa herë opinioni është keqinformuar si “drafti që po zbatohet pa miratim”, duke anashkaluar pasojat juridike të vendimeve të ministrave përkatës për trashëgimi kulturore nga viti 2020, e më tutje”, ka shkruar Bislimi më 03.07.2026.
Ndërkohë, Bislimi bëri të ditur se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), më 24.06.2026, ka miratuar projektin kryesor për punimet e infrastrukturës nëntokësore dhe projekt-planin me dizajn për shtrimin e dyshemesë urbane në Sheshin “Xhorxh Bush”, sipas kërkesës së Komunës së Prishtinës.
Sipas tij, miratimi përfshin segmentin që ndodhet brenda zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.Në fund, Bislimi përsëriti thirrjen ndaj Komunës së Prishtinës që të respektojë procedurat ligjore dhe të bashkëpunojë me institucionet e trashëgimisë kulturore, në mënyrë që projektet të zhvillohen në përputhje me standardet ligjore.
