Ministri Sveçla tregon nëse kanë lidhje sulmet e fundit ndaj policëve në veri me armatimin e Serbisë nga Kina
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, edhe njëherë ka cilësuar se sulmet në veri në drejtim të zyrtarëve policorë të Kosovës ishin terroriste.
Ai tha se qëllimi nuk ka qenë që të bëhen publike në fillim, por me sulmin e sotëm të drejtpërdrejtë në policët, është bërë mëse e nevojshme që të mbahet kjo konferencë për media.
“Unë po iu tregoj fakte të pamohueshme për sulme në një territor të caktuar.Qëllimi ynë nuk ka qenë që të bëhen publike rastet në fillim, për ti dhënë kohë policë që me të gjitha metodat e tyre profesionale të zbulojnë shkaktarët. Por me sulmin e sotëm ku rrezikohet drejtpërdrejtë jeta e policëve dhe këtu më s’kemi dyshime, ky është një sulm terrorist dhe ne kemi vlerësuar se është e pashmangshme që këto informata të ndahen menjëherë me qytetarët, me publikun. Në mënyrë që të parandalohen pastaj çfarëdo lloj informatë e rrejshme.”, tha ministri Sveçla.
Tutje ai tha se me prokurorinë janë në komunikim e sipër gjatë tërë kohës, për t’u kryer të gjitha hetimet e nevojshme, transmeton lajmi.net.
“Për sa i përkon prokurorisë, Prokuroria tashmë është në vendin e ngjarjes, besoj se kanë mbërri aty. Rasti i takon tashmë Njësisë Kundër Terrorist. Besoj se edhe në këtë aspekt, Prokuroria do të hetohet nga Prokuroria Speciale, duke parë seriozitetin e situatës dhe mund të them se deri tani ka bashkëpunim shumë të mirë me prokurorinë, lidhur me rastin e sotëm. Për rastin e djeshëm duhet që të hetohet.”, shtoi ai.
Ministri Sveçla u përgjigj edhe nëse këto sulme lidhen edhe me zhvillimet e fundit në rajon dhe botë, apo saktësisht me furnizimin e fundit me armë të ndryshme që Serbia bëri nga Kina.
“Është tashmë e qartë se Serbia po vazhdon me avazin e vjetër, që të armatoset herë nga Rusia herë nga Kina. Serbia është vendi i vetëm në Evropë, jo vetëm në BE, por si kontinent, Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka zbatuar sanksione ndaj Rusisë për shkak të invazionit rus në Ukrainë, e posaçërisht tash pas daljes së krimeve monstruoze në Ukrainë. Ne si institucione të Kosovës në vazhdimësi kemi bërë ngritjen e kapaciteteve tona, së pari në aspektin politik, jemi duke forcuar marrëdhëniet me shtetet mike, e demokratike, por edhe në aspektin e kapaciteteve operacionale të institucioneve të sigurisë , të të gjithave. Ne nuk i frikësohemi çfarëdo skenari të Serbisë, jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo skenari, posaçërisht kur kemi parasysh përkrahjen e pa rezervë që marrim nga vendet mike. Unë mendoj se qëllimi i Serbisë nuk është në këtë moment të sulmoj Kosovën, por të destabilizoj Kosovën dhe po iu them se situata në përgjithësi është stabile fal institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe sjelljes pro-ligjit të shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës. Grupet e caktuara të mbështetura nga kushdo, nuk do të mund të rrezikojnë sigurinë e vendit tonë. Tashmë këtë e kemi dëshmuar, e do të vazhdojmë të dëshmojmë për çdo ditë, unë kam besim të plotë jo vetëm në vullnetin por edhe në kapacitetet e Policisë së Kosovës, që të kujdeset për rendin publik në të gjitha komunat, lagjet e rrugët e Kosovës. Jam i bindur se kështu do të vazhdojë.”,shtoi ai.
Comments