Ministri i Jashtëm i Polonisë viziton Kievin mes tensioneve me Rusinë

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, po qëndron për vizitë në Kiev, ku është takuar me homologun ukrainas, Andriy Sybiga.

Ky i fundit publikoi një fotografi nga takimi në një stacion treni në kryeqytetin ukrainas, duke shkruar: “Në sfondin e përshkallëzimit të terrorit nga Rusia kundër Ukrainës dhe provokimeve ndaj Polonisë, ne qëndrojmë fort së bashku”.

Sybiga theksoi se gjatë ditës do të diskutohen çështje të sigurisë, anëtarësimi i Ukrainës në BE dhe NATO, si dhe presioni ndaj Moskës.

Sipas “The Guardian”, Sikorski është takuar edhe me sekretaren e Jashtme të Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, dhe këshilltarin për siguri kombëtare të Britanisë, Jonathan Powell. Ata diskutuan situatën e sigurisë në rajon dhe krahun lindor të NATO-s.

Ndërkohë, këshilltari i presidentit polak, Marcin Przydacz, deklaroi për “Radio Zet” se numri i dronëve rusë që kanë hyrë në territorin polak ka arritur në 21, prej të cilëve vetëm 17 janë gjetur. Ai paralajmëroi për një fushatë dezinformimi nga Rusia, që sipas tij po përpiqet ta paraqesë këtë si përgjegjësi të Ukrainës./Kosova.info/


Go to TOP