Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s mblidhen sot në Bruksel, çfarë pritet të diskutohet

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhacka, do të marrrë pjesë këtë të premte në takimin e jashtëzakonshëm të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s, që pritet të mbahet në Bruksel.

Pjesë e takimit do të jenë dhe partnerët operacionalë të NATO-s si Finlanda dhe Suedia, si dhe shefi i diplomacisë në BE, Josep Borrell.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se fokusi i takimit do të qëndrojë te diskutimet mbi pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

“Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Zj. Olta Xhacka, merr sot pjesë në takimin e jashtëzakonshëm të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s, i cili zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel. Në takimin e kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, marrin pjesë edhe Finlanda dhe Suedia, vende partnerë operacionalë të NATO-s, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell.

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve aleate pritet të diskutojnë mbi pasojat e agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës duke konfirmuar se vendet e NATO-s vijojnë të reagojnë plotësisht të bashkuar dhe në unison ndaj krizës më të madhe të sigurisë në Evropë që prej dekadash”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Go to TOP