Mijëra njerëz në mbarë botën protestojnë kundër dhunës ndaj grave

Mijëra njerëz në qytete anembanë botës u mblodhën të shtunën për të dënuar dhunën ndaj grave me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Shumë qytete të mëdha në të gjithë Evropën dhe Amerikën panë një pjesëmarrje të madhe të protestuesve.

“Dhuna me bazë gjinore vazhdon të shkaktojë dhimbje dhe padrejtësi për shumë njerëz”, tha presidenti amerikan, Joe Biden në një deklaratë.

“Ne e dimë se çfarë është në rrezik: kurdo dhe kudo që gratë dhe vajzat janë nën kërcënim, po ashtu është edhe paqja dhe stabiliteti”, shtoi ai.

Në Itali, rreth 50 mijë njerëz demonstruan në Romë, sipas agjencisë së lajmeve AGI, raporton Deutche Welle në gjuhën angleze.

Dhuna ndaj grave në vend ka qenë në qendër të vëmendjes që nga vrasja e një studenteje 22-vjeçare, Giulia Cecchettin. Dyshohet që ish i dashuri i saj e ka vrarë atë.

Rasti ka mbërthyer Italinë, duke ndezur protesta në të gjithë vendin ku mesatarisht një grua vritet çdo tre ditë.

Në Guatemalë, njerëzit demonstruan duke vendosur qirinj për të shkruar numrin 438 – numri i grave të vrarë në vend deri më tani këtë vit.

Ndërkohë, në Kili, protestuesit mbanin foto të viktimave teksa marshonin në Santiago.

Protestuesit në Francë u mblodhën në rrugë të veshur me vjollcë, ngjyrën e grave dhe barazinë gjinore duke mbajtur pankarta që shkruanin: “Një përdhunim çdo gjashtë minuta në Francë”, dhe “Mbroni vajzat tuaja, edukoni djemtë tuaj”.

Go to TOP