Miftaraj: Zgjedhja e Dimal Bashës hap rrugën e zhbllokimit institucional, Kosova mbi interesat partiake

Juristi dhe drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka vlerësuar si lajm të mirë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se ky hap i hap rrugën zhbllokimit institucional dhe krijimit të qeverisë së re.

Ai theksoi se është legjitime dhe e drejtë e pakontestueshme e Vetëvendosjes të përfaqësohet nga Dimal Basha, nëse kjo parti mendon se ai mishëron vlerat më të mira të saj.

“Një urim dhe respekt për secilin deputet nga PDK dhe AAK që lanë anash interesat partiake dhe votuan për zhbllokimin institucional. Kosova është më e madhe se partia dhe secili deputet apo politikan. Sot menduan dhe votuan për Kosovën,” u shpreh Miftaraj.

Ai shtoi se shpreson që me këtë hap të përfundojë edhe zgjedhja e nënkryetarëve duke u finalizuar konstituivi i Kuvendit për të hapur rrugën e formimit të qeverisë.

“Sot u dëshmua se kur ka vullnet politik nga deputetë që interes kanë Kosovën dhe jo interesat e ngushta personale e partiake, lehtësisht zbatohet Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese,” theksoi Miftaraj. /Kosova.info/


Go to TOP