Mianmari do të lirojë mbi 5,000 të burgosur

Mianmari, shtet i njohur edhe si Burma, ka thënë se do të lirojë më shumë se 5,000 persona, të cilët janë burgosur gjatë protestave kundër puçit të muajit shkurt.

Mijëra persona janë ndaluar gjatë protestave të përgjakshme, pasi liderët ushtarakë kanë marrë pushtetin.

Lideri i Mianmarit, Gjenerali, Min Aung Hlaing, ka thënë se 5,636 të burgosur do të lirohen për arsye humanitare.

Ky vendim është marrë pasi ky general është përjashtuar nga një samit vjetor i liderëve rajonalë, të cilët kanë thënë se ushtria nuk ka bërë mjaftueshëm për t’iu dhënë fund trazirave.

Asociacioni i Kombeve të Azisë Juglindore, është pajtuar për të ftuar një përfaqësues jopolitik nga Mianmari, në vend të Gjeneralit, Min Aung Hlaing.

Të paktën 1,178 persona janë vrarë dhe mbi 7,000 janë arrestuar, janë akuzuar apo dënuar, në kuadër të fushatës për shtypje të kundërshtarëve, pas rrëzimit nga pushteti të Aung San Suu Kyi, ka thënë Asociacioni për të Burgosurit Politikë.

Gjenerali Aung Hlaing, ka thënë se të burgosurit do të lirohen për të shënuar një festë budiste më vonë gjatë muajit tetor.

Shefi ushtarak ka thënë se liderët e shtetit janë të përkushtuar për paqe dhe demokraci.

Ai ka thënë se qeveria e tij e ka planin me pesë hapa për ta rikthyer demokracinë.

Autoritetet kanë liruar më shumë se 2,000 protestues kundër puçit në muajin korrik.

Go to TOP