Metaj Govori: T’i shërbesh popullit është nder – Kosova ka nevojë për qeverisje që dëgjon dhe punon për qytetarët
Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Arta Metaj Govori, ka prezantuar vizionin dhe motivimin e saj politik duke theksuar se themeli i shtetësisë së Kosovës ka qenë gjithmonë nderi dhe shërbimi ndaj qytetarëve.
Ajo u shpreh se bukuria dhe fuqia e Kosovës qëndrojnë në aftësinë e saj për të ndryshuar dhe për t’u përmirësuar nga dita në ditë, nga një gjeneratë në tjetrën. Sipas saj, themeluesit e shtetit të Kosovës kishin një vizion të qartë për qeverisjen, një qeverisje që i shërben qytetarit, që dëgjon dhe vepron, e jo që sundon apo stagnon.
“Qeverisja nuk duhet të jetë mjet pushteti, por shërbim publik. Kryeministri nuk është sundues, parlamenti nuk është shkallë për ambicie personale, ndërsa roli i deputetit nuk duhet të përdoret për interesa private,” theksoi Govori duke rikujtuar se Kosova është ndërtuar mbi parimin e nderit dhe sakrificës.
Ajo nënvizoi se lufta për liri ka qenë luftë për ide dhe vlera, jo kundër njëri-tjetrit duke shtuar se shteti i Kosovës është ndërtuar nga njerëz që besonin se shërbimi ndaj popullit është nderi më i madh.
Arta Metaj Govori kandidon me numër 53 në listën që nderon emrin e Ibrahim Rugovës, të cilin e cilësoi si bartësin e pavarësisë së Kosovës. Ajo tha se po kandidon në radhët e partisë që, sipas saj, gjithmonë e ka pasur shërbimin publik si nderin më të lartë.
“Synimi im është të lë gjurmën time në një nga nivelet më të larta të shtetit. Dhe nëse qytetarët mbajnë mend një gjë për mua, dua të mbahem mend për këtë: t’i shërbesh popullit është nderi im dhe gjithmonë do të jetë,” përfundoi ajo. /Kosova.info/
