Metaj: 57 raste të zjarreve vetëm në pasditen e sotme
Drejtor i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Genc Metaj, tha se dita e sotme ka qenë e rënduar nga gjendja e zjarreve në terren. Ndonëse në mëngjes gjendja me zjarret ka qenë e qetë, pasdite numri i zjarreve sipas tij është shtuar në mënyrë enorme. Ai në një lidhje direkt në lajmet e orës 19:30 në RTK, bëri të ditur se ende janë edhe 6 vatra aktive të zjarrit.
“Brenda 24 orëve të fundit kanë qenë 66 raste, ku prej tyre 57 raste kanë qenë vetëm pasditen e sotme”, tha Metaj në RTK.
Ai shtoi se zjarrfikësit me vetëmohim kanë arritur me sukses t’i shuajnë shumicën e zjarreve, derisa sipas tij në këtë moment janë edhe 6 vatra aktive të zjarrit, sepse në Lipjan e Shtime janë lokalizuar vatrat e zjarreve dhe po punohet që të lokalizohen edhe vatrat tjera të zjarreve.
“Aktualisht, zjarret aktive që janë ende të palokalizuara janë në Malishevë, Skënderaj, Ferizaj, Pejë, Istog dhe Gjilan”, tha Metaj.
Ai bëri thirrje qytetarët që të kenë kujdes të shtuar që të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura, derisa inkurajoi qytetarët që t’i denoncojnë rastet, sepse, sipas tij, këto zjarre janë të qëllimshme dhe të organizuara, sepse është e paimagjinueshmeqë brenda një dite të ndizen aq numër i madhe i zjarreve.
Ai shtoi se dëmet janë të mëdha, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.
Metaj tha se situata mund të rëndohet për shkak të erërave dhe të nxehtit të madh, por zjarrfikësit, sipas tij, po punojnë me kapacitete të plota që të lokalizohen këto vatra të zjarreve.
