Meta ironizon Kurtin pas fitores së VMRO-DPMNE-së në Kërçovë: Urime Haveri i Mickovskit–bedelit të Vuçiqit, i përçave shqiptarët për mrekulli
Analisti politik Bardhyl Meta ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, pas fitores së partisë maqedonase VMRO-DPMNE në Kërçovë duke e akuzuar atë për përçarjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në një postim kritik, Meta ka ironizuar Kurtin duke e quajtur “haver i Mickovskit – bedelit të Vuçiqit”, ndërsa ka shtuar se për katër vite të qeverisjes së tij, Kurti ka arritur të dëmtojë unitetin politik të shqiptarëve përtej kufirit.
“VMRO-DPMNE fiton në Kërçovë? Eu Albin Kurti o haveri i Mickovskit – bedelit të Vuçiqit!? Qoje një shampanjë sonte! Arrite për vetëm 4 vjet me i përça e armiqësu aq fort shqiptarët e Maqedonisë, sa që VMRO-DPMNE me fitu në Kërçovë! Dhe si e vetme me 45.91%, t’i shalojnë e shilojnë shqiptarët me 3 parti politike (që i ke armiqësu), ndërkohë që së bashku i kanë 51.06%!”, ka shkruar Meta.
Sipas analistit, kjo situatë tregon pasojat e qasjes përçarëse të politikës aktuale në Prishtinë ndaj faktorëve shqiptarë në rajon duke e cilësuar rezultatin në Kërçovë si një humbje strategjike për shqiptarët. /Kosova.info/
