Mësuesja Hamide Sopi: Kur kapa ditarin për herë të parë ndjeva përgjegjësi dhe krenari që ma mbushi shpirtin

Hamide Sopi, mësuese me shumëvjeçare përvojë në arsimin fillor në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, ndan përvojat dhe emocionet e saj në një intervistë ekskluzive për AlbanianEducation.net. Ajo flet për rrugëtimin e saj në profesionin e mësuesisë, sfidat e përditshme dhe kënaqësinë që i jep puna me brezat e rinj.

Sopi tregon se një nga momentet më të forta për të ka qenë dita kur ka kapur ditarin për herë të parë në dorë – një ndjenjë që i solli një përzierje emocionesh: përgjegjësi e madhe, një dozë frike dhe krenari që i mbushi shpirtin. Ajo thotë se ditari nuk ishte thjesht një fletore, por simbol i besimit të prindërve dhe i ardhmes së fëmijëve.  

Në intervistë, Sopi ndan gjithashtu momente të paharrueshme të punës së saj – të tilla si kur nxënësit e krahasojnë atë me nënën e tyre duke zgjeruar rolin e mësuesit edhe përtej mësimit në një figurë përkujdesjeje dhe mbështetjeje.  

Ajo nënvizon se të jesh mësuese sot është sfidë e madhe, jo vetëm për mësimin, por edhe për detyrat administrative, ndryshimet në sistemin arsimor dhe pritshmëritë e larta që vihen përpara mësimdhënësve. Megjithatë, dashuria për profesionin dhe për nxënësit e bën punën e vlefshme dhe të shpërblyeshme.  

Sopi gjithashtu shpreh shqetësimin për pagat e mësuesve duke theksuar se ato shpesh nuk reflektojnë përkushtimin dhe përgjegjësinë e madhe që mbart ky profesion fisnik. Megjithatë, ajo thekson se mësuesit vazhdojnë punën me përkushtim, sepse motivimi i tyre kryesor mbetet suksesi dhe lumturia e nxënësve.  

Në fund të intervistës, Sopi dërgon një mesazh të rëndësishëm për prindërit duke i ftuar të bashkëpunojnë ngushtë me mësuesit dhe të mbështesin fëmijët në edukimin e tyre, sepse bashkëpunimi mes shtëpisë dhe shkollës është çelësi i suksesit të fëmijëve. /Kosova.info/


Go to TOP