​Memorandum bashkëpunimi Kosovë-Slloveni për personat me dëmtim shikimi

Shoqata për Personat e Verbër dhe me Shikim të Dëmtuar “Drita Jonë” ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Unionin e Shoqatave të të Verbërve dhe me Dëmtim të Pjesshëm të Shikimit të Sllovenisë (ZDSSS).

Kryetarja e shoqatës, Sevdije Voca, tha se memorandumi synon forcimin e integrimit dhe barazisë për personat e verbër dhe me dëmtim të shikimit, përmes shkëmbimit të përvojave, projekteve të përbashkëta dhe iniciativave konkrete.

“Besojmë fuqishëm se vetëm përmes bashkëpunimit të sinqertë dhe veprimit të përbashkët mund të ndërtojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse, më të drejtë dhe më humane”, tha ajo.

Shoqata “Drita Jonë” falënderoi ZDSSS për bashkëpunimin dhe përfaqësuesit e saj: Sonja Pungertnik (presidente), Polona Car Gjuriq (udhëheqëse e programeve sociale) dhe Shttefan Kushar (CEO) duke theksuar se partneriteti do të krijojë mundësi të reja për zhvillim, dinjitet dhe përfshirje shoqërore.

Përmes shkëmbimit të përvojave, projekteve të përbashkëta dhe iniciativave konkrete, ky partneritet do të kontribuojë në fuqizimin e individëve, ndërtimin e kapaciteteve dhe integrimin e grupeve të margjinalizuara në proceset e zhvillimit, duke mos lënë askënd pas.


Go to TOP