Mbrojtja e krerëve të UÇK-së me kohë të kufizuar në rrëzimin e aktakuzës
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se mocioni i mbrojtjes do të paraqitet vetëm me shkrim, ndërsa nuk janë planifikuar seanca publike. Prokuroria do të ketë 30 ditë për t’u përgjigjur me shkrim. Procesi është cilësuar sfidues dhe me shumë rregulla të veçanta nga avokatët. Ndërkohë, njëri nga gjykatësit ndërkombëtarë ka dhënë dorëheqje për arsye siç është thënë, personale.
Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka në dispozicion më pak se katër javë për të paraqitur mocionin për rrëzimin e pikave të aktakuzës.
E për të paraqitur para trupit gjykues, prokurorisë dhe mbrojtjes së viktimave, do ta kenë mundësinë ta bëjnë vetëm me shkrim, por jo edhe me seancë për publikun.
Kështu kanë bërë të ditur nga Dhomat e Specializuara të Hagës. Në një përgjigje për RTK-në nga kjo gjykatë kanë thënë se nuk janë planifikuar të mbahen seanca.
“Nuk e dimë ende nëse afati i fundit për paraqitjen e mocionit të mbrojtjes do të jetë 2 qershori apo një datë e mëvonshme. Mocioni do të paraqitet vetëm në formë të shkruar. Prokuroria do të ketë më pas mundësinë t’i përgjigjet asaj edhe me shkrim brenda 30 ditëve. Pas kësaj, trupi gjykues do të fillojë shqyrtimin e tyre rreth kërkesës”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Sipas gjykatës, seancë nuk do të ketë as për diskutim të mocionit.
“Nuk janë paraparë seanca dëgjimore për të diskutuar kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e akuzës. Prokuroria do të ketë mundësinë të përgjigjet me shkrim përpara se të vendosë trupi gjykues”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Seancat e radhës mund të fillojnë pasi edhe mbrojtja e viktimave ta kryejë punën e saj.
“Pasi të dihet se kur avokati i viktimave do të fillojë të paraqesë rastin e tij, seancat do të futen në kalendar”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Procesin e kanë vlerësuar të vështirë avokatët e licencuar nga Specialja.
“Ka qenë një proces i shtirë, ka qenë sfidues për të gjitha palët, i padrejtë dhe shpesh herë apo shumë herë anues nga ana e prokurorit special, mirëpo kjo nuk e determinon vendimin, e në bazë ë kësaj nuk mund të themi se trupi gjykues do të jetë armiqësor ndaj të akuzuarve”, tha Skënder Musa, avokat i licencuar.
“Ky proces është procesi më i madh, është unik në vetvete sepse është një gjykatë e re, kanë qenë procedura të veçantë, kjo e ka komplikua situatën edhe për ne juristët e fushës por edhe për avokatët ndërkombëtarë që janë të specializuar për këtë, ka qenë një risi e rregullores, ka pas rregulla të veçantë se ato që jemi mësuar me i pa në sistemet penale ndërkombëtare, kjo e ka komplikuar situatën, pastaj ka qenë qasja e publikut, një pjesë e konsiderueshme e seancave nuk kane qenë publike”, tha Taulant Hodaj, avokat i licencuar.
E derisa gjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon, edhe përbërja e Dhomave të Specializuara ka ndryshuar. Së fundmi, dorëheqje ka dhënë gjykatësi Kenet Roberts nga regjistri i gjykatësve ndërkombëtarë, për shkak të mungesës së kohës dhe prioriteteve të ndryshme.
Kryetarja Trendafilova shprehu mirënjohje për kontributin e gjykatësit Roberts në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara, për të cilin tha se do t`u mungojë si koleg i ditur dhe me përvojë.
