Mbi 9 për qind, inflacion rekord në vendet e Eurozonës
Rritja e çmimeve në Eurozonë arriti një rekord të ri në gusht. Mallrat dhe shërbimet u rritën mesatarisht me më shumë se 9 për qind.
Inflacioni në Eurozonë e kaloi kufirin 9 për qind në gusht. Çmimet e konsumit u rritën 9.1 për qind në një vit. Këtë e ka bërë të ditur Zyra evropiane e Statistikave (Eurostat) në bazë të një vlerësimi të shpejtë.
Që nga futja e euros si monedhë këmbimi në vitin 1999, rritja e çmimeve nuk ka qenë kurrë aq e lartë sa në gusht. Ekspertët kanë pritur një rritje në 9 për qind. Në korrik, norma e inflacionit ishte ende 8.9 për qind.
Inflacioni bazë në 4.3 për qind
Energjia u shtrenjtua me 38.3 për qind brenda një viti. Megjithatë, rritja ishte pak më e ulët se një muaj më parë. Në të kundërt, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve u përshpejtua. Gjithashtu u rritën më fort edhe çmimet e mallrave dhe shërbimeve industriale. Për ushqimin, alkoolin dhe duhanin, konsumatorët u përballën me një rritje të kostos prej 10.6 për qind. Mallrat industriale joenergjetike u rritën me 5 për qind. Për shërbimet, rritja e çmimit ishte 3.8 për qind. Inflacioni bazë, i cili nuk merr parasysh çmimet veçanërisht të paqëndrueshme të energjisë, ushqimeve dhe pijeve, u rrit nga 4 për qind në 4 për qind.
Normat më të larta të inflacionit në Eurozonë u regjistruan sërish në tre shtetet baltike, mbi 20 për qind. Në Estoni, për shembull, norma vjetore e inflacionit arriti në 25.2 për qind. Në Gjermani, norma e inflacionit e llogaritur sipas standardeve evropiane ishte 8.8 për qind.
Banka Qendrore Evropiane nën presion
Me këtë rritje të re të inflacionit, bëhet gjithnjë e më e mundshme një tjetër rritje e ndjeshme e normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) në mbledhjen e saj javën e ardhshme. Sepse, ajo vazhdon të mbetet dukshëm larg objektivit të saj të inflacionit.
Në korrik, pas viteve të politikës së normës zero të interesit, Banka Qendrore Evropiane e rriti me gjysmë pikë përqindje normën e interesit në 0.50 për qind.
Një hap tjetër i rëndësishëm pritet në mbledhjen e Këshillit të Bankës Qendrore Evropiane më 8 shtator. Ndërkohë, disa bankierë të bankave qendrore të eurozonës janë shprehur në favor të diskutimit të një rritjeje edhe më të madhe me 0.75 pikë përqindjeje. /Deutsche Welle/
