Mbi 60 familje në Koliq protestojnë kundër KEDS-it: Ditë të tëra pa rrymë dhe dëme të mëdha materiale
Mbi 60 familje të lagjes “Ahmetaj” në fshatin Koliq të Prishtinës po përballen prej kohësh me ndërprerje të shpeshta dhe furnizim të dobët me energji elektrike, situatë kjo që po u shkakton dëme të konsiderueshme materiale dhe po ndikon edhe në procesin mësimor.
Të pakënaqur me mungesën e reagimit institucional, disa banorë të Koliqit organizuan sot një protestë duke mbajtur pankarta me slogane si “KEDS, respekto fshatin Koliq”. Ata kërkuan ndërhyrje urgjente në rrjetin elektrik, ndërrimin e shtyllave të vjetra, kabllove dhe transformatorit me një kapacitet më të lartë.
Kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Koliq, Bedri Hajzeri, tha se pavarësisht ankesave dhe kërkesave të shumta, deri më tani KEDS nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Ai theksoi se furnizimi i dobët me energji po shkakton djegien e pajisjeve shtëpiake dhe rrezik për sigurinë e banorëve.
“Kemi bërë disa herë kërkesa dhe peticione, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Dëmet janë të mëdha – na janë prishur televizorë, frigoriferë, pajisje të tjera, ndërsa kur ndalet rryma, ndalet edhe procesi mësimor në shkollë. Kërkojmë ndërrimin e shtyllave, kabllove dhe trafos, në mënyrë që fshati të furnizohet rregullisht me energji elektrike”, u shpreh Hajzeri.
Edhe banorja Xhevahire Beqiri tha se komuniteti dhe bizneset lokale po përballen me humbje të mëdha ekonomike pas çdo ndërprerjeje të energjisë. Sipas saj, banorët nuk pranojnë të mbesin pa shërbime bazike jetësore.
“Ne nuk pranojmë në asnjë mënyrë të mbesim pa energji elektrike. Po kemi humbje të mëdha ekonomike, sepse pajisjet elektrike dëmtohen pas çdo ndalje të rrymës”, tha Beqiri.
Ndërkaq, banori tjetër Ymer Hajzeri deklaroi se vetëm në shtëpinë e tij dëmet materiale arrijnë deri në 300 euro duke shtuar se problemi vazhdon tash e më shumë se 10 vjet. Ai theksoi se gjatë reshjeve të shiut apo borës, fshati mbetet pa energji elektrike deri në katër ditë.
“Më janë djegur shporeti, makina e larjes dhe pajisje të tjera. Me një shi apo borë, rrymë nuk kemi për disa ditë. Kjo gjendje po na detyron të mendojmë edhe largimin nga fshati”, u shpreh ai.
Banorët e Koliqit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta, madje edhe para selisë së KEDS-it, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
