Mbi 23 mijë persona që jetojnë jashtë Kosovës janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar më shumë se 25 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës përmes platformës elektronike. Nga këto, 23,618 janë aprovuar, ndërsa 1,525 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së fotografive që tregojnë aplikuesin me dokumentin e identifikimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se periudha e aplikimit, e cila filloi më 29 gusht, do të vazhdojë deri më 26 dhjetor 2024.

Ai theksoi se regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës përfshin tri mënyra:

6,228 votues janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike,
3,575 votues do të dërgojnë pakon me fletëvotim në Kosovë,
13,815 votues do të dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës.
Elezi potencoi se procesi i regjistrimit nuk është përjashtues. Aplikuesit e refuzuar mund të ri-aplikojnë pas përmirësimit të dokumenteve të tyre sipas udhëzimeve të KQZ-së.

KQZ inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës. Për më shumë informata dhe aplikim, vizitoni platformën elektronike diaspora.kqz-ks.org.

Go to TOP