Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin ndaj Çaslav Joliq, i dënuar për krime lufte

Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Çaslav Joliq, i dënuar me 8 vite burgim për krime lufte në Istog. Vendimi u mor më 4 nëntor 2024, pas aprovimit të ankesës së avokatit mbrojtës, Miodrag Brkljaç.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se dispozitivi i vendimit të Gjykatës Themelore është i paqartë dhe në kundërshtim me arsyetimin, duke mos dhënë arsye të qarta për faktet vendimtare. Apeli gjeti kundërthënie ndërmjet pretendimeve të të dëmtuarit Zef Malësia dhe dispozitivit të vendimit, ku thuhet se goditja në kokë është kryer nga një person me nofkën “Dulle” dhe jo nga i pandehuri Joliq.

Gjithashtu, u konstatuan paqartësi edhe në deklaratën e të dëmtuarit Naim Ferati, si dhe mospërputhje në dëshminë e Nexhmedin Curraj, duke bërë vendimin e Themelores të paqëndrueshëm.

Gjykata e Apelit kërkoi që gjatë rigjykimit të analizohen të gjitha provat dhe të vlerësohet besueshmëria e tyre në mënyrë të qartë dhe objektive.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Çaslav Joliq më 18 nëntor 2022, duke e akuzuar për bashkëkryerje të krimeve kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë. Megjithatë, procesi penal do të rifillojë për të adresuar shkeljet procedurale dhe kundërthëniet e konstatuara nga Apeli

Go to TOP