Mbi 100 gra të vrara në Itali deri më tash

Më shumë se 100 gra janë vrarë deri më tani këtë vit në Itali, ku pothuajse gjysma e tyre janë vrarë nga partnerët e tyre ose ish-partnerët, tha policia italiane.

I publikuar të premten për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, raporti rendit emrat dhe detajet e vdekjes së 95 grave të vrara nga fillimi i vitit deri më 7 nëntor.

Ato përfshijnë 27-vjeçaren Carol, e cila u vra nga ish i dashuri i saj, i cili e goditi me një çekiç dhe më pas e hodhi trupin e saj të copëtuar nga një shkëmb, 40-vjeçarja Elisabetta e cila vdiq pasi u “u ther disa herë” nga burri i saj dhe 74-vjeçarja Silvana, burri i së cilës e rrahu për vdekje me shkop.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të premten se qeveria e saj ishte e përkushtuar për të luftuar dhunën me bazë gjinore dhe “murtajën e tmerrshme të femicideve”.

“Ne ia kemi borxh shumë viktimave”, tha ajo në një deklaratë të postuar në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Në Itali, 31.5 për qind e grave kanë pësuar një formë të dhunës fizike ose seksuale dhe 5.4 për qind kanë qenë viktima të formave të rënda të dhunës seksuale si përdhunimi, sipas Institutit Italian të Statistikave (ISTAT).

Statistikat italiane vijnë pasi bota dëshmoi një krizë abuzimi në familje gjatë pandemisë Covid-19. Humbjet e vendeve të punës, mosveprimi i qeverisë, punët e pazgjidhura gjyqësore dhe shumë faktorë të tjerë kontribuan në atë që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur “pandemi në hije të dhunës ndaj grave dhe vajzave”.

Sipas një raporti të OKB-së, 45,000 gra në mbarë botën u vranë nga partnerët e tyre ose anëtarë të tjerë të familjes vitin e kaluar. Kjo do të thotë se më shumë se pesë gra ose vajza vriteshin çdo orë nga dikush në familjen e tyre./telegrafi

Go to TOP