Mbahet dëgjim publik për rregullimin e përdorimit të kriptovalutave

Në kohën kur numri i qytetarëve që po investojnë në kripto-asete është i madh, Komisioni për Ekonomi po punon në projektligjin që rregullon këtë veprimtari.

Për këtë, ky komision sot ka organizuar dëgjim publik me përfaqësues të institucioneve financiare, organizatave joqeveritare, oda tregtare e kompani që merren me teknologji informative.

Anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Mimoza Kusari-Lila tregoi se çfarë përfshin ky projektligj.

“U bënë më shumë se dy vite që nisma për projektligjin është filluar në Kuvendin e Kosovës. Deri më tani grupi i punës ka mbajtur dy dëgjime publike. Ajo çfarë ka qenë diskutabile në vazhdimësi, kanë qenë institucionet përgjegjëse. Ne kemi lëvizur që funksionet mbi rregullimin e kripto-aseteve të jenë në kuadër të Bankës Qendrore të Kosovës. Ky ligj synon të rregulloj licencimin, autorizimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve që merren me emetimin, shpërndarjen, tregtimin dhe ruajtjen e kripto-aseteve. Kushtet dhe operimin, kushtet dhe kriteret për transparencë, rregullat për mbrojtjen e konsumatorëve, sanksionet në rastin e praktikave abuzive dhe çështje tjera”, deklaroi ajo.

Nga Banka Qendrore e Kosovës thanë se tashmë kanë filluar bisedimet për ndarjen dhe organizimin e resurseve të nevojshme në lidhje me zbatimin e këtij ligji.

Përfaqësues të institucioneve private kërkuan informata nëse deputetët që janë marrë me hartimin e këtij ligji janë të informuar lidhur me kripto-asetet.

Për këtë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj potencoi se ligji duhet të jetë në përputhje me ligjet e shteteve tjera.

“Meqenëse Kosova është fillestare në këtë drejtim, ne duhet patjetër që të komunikojmë dhe t’i standartizojmë edhe ligjet edhe rregulloret. Ne duhet të kemi një licencim të tyre si dhe një kontroll. Nuk mendoj se për këtë ka kompetencë dikush tjetër përveç Bankës Qendrore të Kosovës, tha ai.

Ndërsa, kritika ngriti edhe avokati Virtyt Ibrahimaga.

Ai tha se në draftin e parë të këtij ligji kanë qenë të përfshira dispozitat që rregullonin autorizimin dhe licencimin e kësaj veprimtarie, të cilat pastaj janë larguar nga drafti i dytë.

“Drafti paraprak ka paraparë dispozita sa i përket autorizimit dhe licencimit. Janë paraparë dispozitat dhe kushtet se në cilat raste operatorët cilat kushte duhet t’i përmbushin për të marrë autorizimin dhe licencën. Pra kritere që janë shumë me rëndësi për transparencë. Meqenëse ato janë larguar, ato duhet të rregullohen me akte nënligjore. Unë e konsideroj se është e panevojshme që janë larguar ato”, tha ai.

Projektligji për kripto-asete ka për synim që të sigurojë një kornizë ligjore e cila do të sigurojë një mjedis të sigurt për përdorimin si dje tregtimin e kriptovalutave.

Go to TOP