Matoshi: Albin Kurti, pjesëmarrës në ndëshkimin e mundshëm të FFK-së nga UEFA
Halil Matoshi ka kritikuar ashpër Kryeministrin Albin Kurti dhe disa figura të tjera publike për mohimin e sovranitetit të Kosovës, që sipas tij, mund të çojë në ndëshkimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nga UEFA.
Në një analizë, Matoshi thekson se deklaratat e kapitenit Amir Rrahmani, të mbështetura nga Kryeministri Kurti dhe ideologjia e pushtetit aktual, po përhapin një narrativë nacionaliste që dëmton imazhin dhe pozicionin e Kosovës si shtet. Ai thekson se përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ishte i vetmi që mbrojti korrektësinë, duke insistuar se “Kosova është Kosovë.”
Sipas Matoshit, ky qëndrim mohues dhe populist jo vetëm që rrezikon marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, por gjithashtu përforcon mundësinë që UEFA të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj FFK-së, duke dëmtuar përfaqësimin sportiv të vendit. Ai shpreh shqetësimin se ky diskurs antishtet po e largon Kosovën nga integrimi ndërkombëtar dhe po e izolon gjithnjë e më shumë. /Kosova.info/
