Masat e reja të Qeverisë, mbyllen çerdhet, shtyhet fillimi i mësimit edhe për dy javë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim në mbledhjen e sotme mbylljen e plotë të çerdheve në vend.

“Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri më datë 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar”, thuhet në masat e reja që u diskutuan në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në konferencë për media i ka kumtuar masat e reja. 

“Ditët e fundit ishim dëshmitarë të përmirësimit të situatës, me rënie të personave të infektuar. Gjatë kësaj jave është shënuar edhe rënie në numrin e të hospitalizuarve. Përkundër fillimit të stabilizimit të situatës me pandeminë, kemi akoma numër të lartë të vdekjeve nga Sars-COV2. Për disa ditë me radhë pozitiviteti në testime ka qenë nën 10 për qind, që jep shpresë, por situata mbetet e ndjeshme. Jemi në një stad kur ka rënie të numrave, por situata epidemiologjike mbetet e paqëndrueshme. Pavarësisht se janë shtuar kapacitetet spitalore, rreziku për hospitalizomë në numër të lartë nuk ka kaluar ende. Janë bashkuar mbi 1000 punonjës shtesë shëndetësorë. Kjo javë ka qenë me shumë aktivitete e takime në lidhje me masat e reja, që pritet të hyjnë në fuqi nga nesër më 13 shtator. Në takimet e shumta, u konstatua se përkundër përmirësimit duhet vazhduar me disa masa që kanë qenë në fuqi, e të ndërmerren disa masa shtesë për të ruajtur shëndetin publik”, ka thënë Vitia në konferencë për media.

Ai ka shtuar se ndër masat e reja është mbyllja e institucioneve parashkollore e qëndrimeve ditore, shtyrja e fillimit të mësimit për dy javë, ndalimi i mësimit me prezencë fizike në universitete.

Po ashtu studentët për t’iu mundësuar regjistrimi në konvikt, duhet të kenë certifikatë vaksinimi, test PCR apo serologjik.

MASHTI nuk e përjashton opsionin e mësimit online

Zëvendësministrja e MASHTI-t, Edona Maloku Berdyna, ka deklaruar se mësimi online është opsion, mirëpo bazuar në humbjet e mëdha që janë shkaktuar, rikthimi në shkolla me prani fizike pas dy javësh do ishte veprimi më i duhur.

“Mësimi online është njëri ndër skenarët që e kemi detajuar në udhëzues. Synimi ynë mbetet që megjithatë, rikthimi të jetë në shkolla dhe i sigurt. Mësimi online është opsion por duam që ky të jetë më tepër përjashtim nga vendimi sesa vendim”, ka thënë ajo para mediave.

Shtyhet edhe për dy javë procesi mësimor

Procesi mësimor është vendosur të shtyhet edhe për dy javët e ardhshme, ka njoftuar Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.

Përmes Facebook, Nagavci ka thënë se i ka informuar mësimdhënësit lidhur me rekomandimet e fundit të IKSHPK-së për shtyrjen e mësimit, duke thënë se të njëjtat do të respektohen për shkak të shëndetit.

“Me shpresë se pas dy javësh gjendja do të stabilizohet dhe procesi mësimor të nis ashtu siç kishim planifikuar, pra me prezencë fizike, mësimdhënësve ju dëshiroj shumë suksese gjatë këtij trajnimi dhe në vitin e ri shkollor”, ka shkruar ajo tutje.

“Dy vitet e fundit kanë qenë jo të lehta për arsimin. Të gjitha raportet në botë flasin se humbjet e shkaktuara në procesin arsimor si pasojë e pandemisë kanë qenë të mëdha e edhe viti i ri shkollor do të jetë me shumë sfida, andaj dhe duhet shumë punë, bashkëpunim e angazhim i të gjithëve për t’i kompensuar humbjet e përmirësuar rezultatet”, thuhet tutje.

Ministrja e Arsimit ka theksuar se do jenë në përkrahje të mësimdhënësve me qëllim të avancimit sa më të mirë të tyre.

Udhëheqës i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, është deklaruar pro masave të parapara për shtyrjen e procesit mësimor.

Ai i ka thënë KOHËS se në rast që edhe pas dy javësh gjendja pandemike vazhdon të jetë e njëjtë, duhet diskutuar që procesi të kalojë në mësim online, në mënyrë që të mos ketë humbje të vazhdueshme.

Go to TOP